E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët pa rekomandim, asnjë shërbim në spitale

Pacientit që nuk ka rekomandimin e mjekut të familjes nuk do t‘i jepet asnjë shërbim në spitalet e qyteteve aq më shumë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza". Në një takim të përbashkët me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit, ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë ka kërkuar nga mjekët në të gjithë vendin të ndihmojnë përmirësimin e gjendjes së spitaleve duke zbatuar sistemin e referimit. Kjo do të thotë që pacientët që kanë mundësi të marrin shërbime në spitalet e rretheve apo kryeqytetasit që mund të zgjidhin problemet në qendrat e lagjeve apo poliklinika nuk duhet të bllokojnë punën në spitalet sekondare apo terciare. Në të kundërt, mjekët që do të kapen në shkelje të këtij udhëzimi do të penalizohen. Masa që do të merret shkon deri në ndërprerje të kontratës së punës.

"Ata që kanë mundësi të marrin shërbim në qytetin e tyre, të shkohet në qendrat shëndetësore, poliklinika e në rast se ka komplikacione pacienti të paraqitet në spital", tha ministri Petrit Vasili. E njëjta procedurë është kërkuar rreth tre vjet më parë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli.

Në një udhëzim, ish-ministri kërkoi që operacionet që mund të kryhen në spitalet e rretheve, pacientët t‘i bëjnë atje, për shërbim më të avancuar të paraqiten në spitalin "Nënë Tereza".

"Është shumë e rëndësishme ndjekja e sistemit të referimit dhe ka qenë një nga plagët më të mëdha që instituti ka ngritur me forcë në gjithë këto vite, në mënyrë që të merret në konsideratë mjeku i familjes", tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.

Sipas saj, do të ketë sanksione që te mos pranohen raste pa rekomandime, pa fletët përkatëse që shoqërojnë pacientin, këtu përjashtohen rastet e urgjencave. "Nëse do të shkelen këto masa do të ketë sanksione kontraktuale që do të shkojnë deri në prishje të kontratës", sqaroi Hana.

Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në bashkëpunim me GTZ organizuan dje konferencën me temë "Mbrojtja shëndetësore në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë". Në këtë takim morën pjesë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë, Bernd Borchardt, dhe përfaqësues të lartë të organizmave vendas dhe ndërkombëtarë në fushën e shëndetësisë. Ndër të tjera, në këtë takim u theksua se sfidat e afërta janë konsolidimi i reformës në shërbimin parësor, si dhe reformimi i mëtejshëm i shërbimit spitalor përmes rritjes së autonomisë për spitalet të cilat tashmë janë përgjegjëse për menaxhimin e një pjese të të ardhurave në dobi të pacientëve.

Sfida kryesore dhe qëllimi final i të gjitha përpjekjeve të përbashkëta duhet të mbetet ofrimi i shërbimeve të aksesueshme cilësore, duke futur këtu të gjitha masat politike, institucionale, organizative e strukturore, jo vetëm duke zgjeruar mbulimin e skemës së sigurimeve por, duke i dhënë një kosto reale, për shërbime reale", sqaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›