Shefi i Bankës Botërore, dyshues për pushtetin e Fed
Kreu i Bankës Botërore dje ka lëshuar një deklaratë paralajmëruese në lidhje me dhënien e një pushteti më të madh rregullator Rezervës Federale (FED) Banka Qendrore amerikane, duke thënë shprehimisht se "e ardhmja e dollarit do të varet shumë nga zgjedhjet e Amerikës". "Nuk është e papritur që demokracia amerikane po heziton në lidhje me autorizimin e Fed që të supervizojë bankat, si dhe politikën monetare që e shtojnë shumë pushtetin e saj të deritanishëm", ka deklaruar Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoelik. Në një fjalim para një auditori studentësh, ai tha se Kongresi Amerikan kishte një traditë të gjatë për sa i përket hetimit të bankave me dyshim. Presidenti Obama, në përpjekje për të parandaluar krizat e rënda të sistemit financiar ka propozuar javë më parë ndryshime në rregulloren amerikane në favor të Fed. Sipas këtyre ndryshimeve, Banka Qendrore do të ishte mbikëqyrësja e rregullimit të risqeve. "Do të jetë shumë e vështirë që të veshësh teknokratët e FED me më shumë autoritet". Ai deklaroi se bankat qendrore të vendeve ku shumë banka dhe institucione financiare falimentuan apo shkuan në prag të falimentimit duhet që të përballeshin me një përgjegjësi, veçanërisht për sa i përket supervizimit financiar. "Duhet ende që të shohim nëse bankat qendrore mund të përballojnë apo jo rimëkëmbjen e ekonomisë". Sipas tij, veprimet e ardhshme janë kyçe në lidhje me dollarin dhe pozicionin e tij të ardhshëm. Ai u bëri thirrje autoriteteve amerikane që të mos e merrnin dominancën e dollarit për të mirëqenë dhe tashmë monedha të tjera si monedha europiane dhe ajo kineze po fitonin përditë e më shumë terren.