E Diel, 1 Nëntor 2026

Iraniane dhe pakistaneze viza false me vulen e Ambasades Daneze ne Tirane

Grupi që grabiti ambasadën i shiti vulat jashtë shtetit

Iranianë, pakistaneze dhe irakianë janë kapur në disa aeroporte të Europës me viza false me vulat e Ambasadës Daneze në Tiranë, e cila është grabitur vitin e kaluar. Grupi shqiptar që arriti të futej në ambientet e ambasadës ka shitur në “tregun e zi” disa vula të kësaj ambasade, të cilat mendohet se kanë shkuar fillimisht në Maqedoni për të përfunduar në vendet aziatike, te grupet e sofistikuara të trafikut të qenieve njerëzore, të cilat kanë arritur të riprodhojnë viza me vulën e kësaj ambasade. Qytetarë të këtyre shteteve janë ndaluar në disa aeroporte dhe pas verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se ato ishin false. “Disa persona nga Irani, Pakistani dhe Iraku janë kapur në aeroportet e Brukselit e Firencës me viza daneze, të cilat pretendonin se i kishin marrë nga Ambasada Daneze në Tiranë”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila saktëson se drejtësia shqiptare ka nisur prej disa muajsh një proces gjyqësor për tetë të pandehur që akuzohen për vjedhje e grabitje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Midis grabitjeve të këtij grupi është edhe Ambasada Daneze, e cila është bastisur në datën 23 tetor 2009. Në ambientet e brendshme të kësaj ambasade janë vjedhur një sasi eurosh, kompjuterë dhe vula të ndryshme.

“Më datë 23.10.2009 të pandehurit Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi, Taulant Mataj dhe Dritan Duka në bashkëpunim në mes tyre kanë vjedhur zyrat e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar të Danimarkës në Tiranë, rruga ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’. Konkretisht rreth orës 3 të mëngjesit ata janë futur në këto zyra nëpërmjet tarracës së një pallati ngjitur me të, duke vendosur shkallë për të komunikuar. Pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme kanë vjedhur një sasi prej 1000 eurosh, dy kompjuterë laptop dhe sende të tjera”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas saj, të pandehurit Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Dritan Duka, ditën e grabitjes, kanë shkuar në qytetin e Korçës ku kanë takuar shtetasin Maksim Xhixho, me qëllim shitjen e sendeve të vjedhura. “Sipas rezultatit të përgjimit, rezulton se shtetasit Elton Lika, Sajmir Kuçi dhe Taulant Mataj kanë hyrë në ambientet e brendshme të ambasadës, ndërsa të pandehurit Sulejman Bakalli dhe Dritan Duka kanë ruajtur dhe kanë ndihmuar në transportimin e autorëve dhe sendeve të vjedhura”, thotë akuza, duke shtuar se procesi gjyqësor ka vijuar normalisht, ku janë pyetur një sërë personash, si dhe janë depozituar para trupit gjykues edhe dokumentet përkatëse. Midis dokumenteve të dorëzuara është edhe një shkresë nga Interpoli se vulat e grabitura në këtë ambasadë janë përdorur nga shtetas të huaj për të falsifikuar viza me qëllim emigrimin në vendet perëndimore dhe në zhvillim.

Prokuroria thotë se ky grup i studionte të gjitha grabitjet. Sado të sakta veprimet, tetë të pandehurit lanë gjurmë dhe brenda një viti ranë në duart e policisë. Vodhën biznese, familje të pasura, ndërkohë që ambiciet e tyre shkuan deri në seli diplomatike, pasi kishin dëshirë që në aktivitetin e tyre kriminal ta shtonin një të tillë. Ndaj, organizuan vjedhjen e selisë së ambasadës së Danimarkës, çka detyroi këtë të fundit të pezullonte punën dhe shërbimin për disa ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›