Vodhen bankomatet gjykata denon dy hakera italiane
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 6.3 vite burg dy hakera italianë. 3.3 vite burg u dënua i pandehuri Luca Calvi dhe 3 vite burg Gabriele Pasqualino, ndërsa togat e zeza u sekuestruan edhe 25 mijë euro që kishin përvetësuar nga grabitjet. Prokuroria kërkoi një javë më parë dyfishin e këtij dënimi, por Kolegji Penal ndryshoi kualifikimin e veprës penale nga mashtrime kompjuterike në falsifikim të “letrave me vlerë”. Sipas vendimit, Calvi dhe Pasqualino grabisnin bankomate me anë të kartave të kreditit të klonuara, ndërsa për faktimin e veprës penale kanë shërbyer aparaturat e vjedhjes së informacioneve, si dhe 400 karta krediti të klonuara. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, prokuroria ka arritur të zbardhë edhe transaksionet e parave, ndërsa autorët i përdornin të hollat për një jetë luksi në kryeqytetin shqiptar. 25-vjeçarët nga Xhenova e Italisë e kishin shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në Shqipëri, duke blerë në qendra tregtare edhe mallra luksozë, ndërsa në 100 raste arritën të grabisin bankomatet e bankave të niveleve të dyta. Gjykata thotë se italianët e kanë kryer këtë aktivitet në vendlindje, dhe pasi ishin vënë nën shënjestër atje, erdhën për të vazhduar aktivitetin në vendin tonë.
Dy italianët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e disa prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Ata, për realizimin e aktivitetit të paligjshëm, kanë përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Si provë materiale për të faktuar veprimtarinë e italianëve, janë vëzhgime dhe përgjime të realizuara nga ekspertët antikrim. Po ashtu, është dokumentuar edhe rasti në momentin e arrestimit, kur dy 25-vjeçarët italianë po mundoheshin të grabisnin të holla në një nga ATM-të e një banke. Nga kontrolli në momentin e kapjes në flagrancë u sekuestruan një kompjuter laptop me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader”, që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare një shumë prej 25 000 eurosh etj.
Gjatë aktivitetit të italianëve mësohet se janë përdorur mbi 250 karta krediti, me anë të të cilave ata kishin arritur të siguronin dhjetëra milionë lekë.