E Diel, 1 Nëntor 2026

Irena dyshohej se strehohej nga ish-konsulli gjerman

15/03/2005  Prokuroria verifikoi se ajo nuk ndodhej në Itali me mikun e familjes, Tomas Vek

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar edhe një nga vendet e dyshuara se mund të fshihej Irena Seli, nëse është gjallë. Por, edhe aty nuk është gjetur ndonjë gjurmë e saj. Seli, e cila rezulton e zhdukur që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar, dyshohej se mund të ishte strehuar në Itali me ndihmë të një të njohuri të saj. Nga verifikimet e kryera dhe marrja në pyetje e të afërmve të saj, Prokuroria kishte hedhur dyshimet se ajo mund të ishte strehuar në Itali nga ish-konsulli i ambasadës gjermane në Tiranë, Tomas Vek, i cili tashmë është me detyrë si diplomat në ambasadën gjermane në vendin përtej Adriatikut. Kjo, pasi hetuesit kishin marrë informacione se ajo kishte miqësi me të, gjë që konfirmohej edhe nga dy dërgesa valute në formë dhurate, që Vek i kishte përcjellë djalit të Irenës, Brunos. Por, nga verifikimet e kryera në rrugë zyrtare, është konkluduar se Irena nuk ndodhej as aty.

Dyshimi

Pas vazhdës së gjatë të marrjes në pyetje të të gjithë të afërmve të Irena Selit, Agim Mushos dhe familjarëve të tij, Prokuroria kishte marrë informacion se e zhdukura kishte pasur njohje me ish-konsullin gjerman në Tiranë. Për këtë arsye, hetuesit nuk e lanë pa verifikuar edhe këtë moment të hetimit, pas lindjes së dyshimeve se ajo mund të strehohej në Itali me ndihmën e Tomas Vek, i cili është me detyrë në ambasadën gjermane në Itali. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se ekzistojnë edhe prova materiale, që vërtetojnë se familja Musho ka pasur njohje me ish-konsullin gjerman në Tiranë. Burimet pohojnë se janë dy fatura dërgesash valute nga ana e Vek në emër të Brunos, djalit të Irena Selit dhe Agim Mushos, që ka rezultuar të jenë në formë dhurate, për shkak të miqësisë që kishte me familjen e tij. Për këtë shkak, pas kontrollit të ushtruar në Shqipëri në të gjitha vendet e dyshuara se mund të strehohej Irena, nëse ishte gjallë dhe mosgjetjes së asnjë gjurme të saj, hetuesit i hodhën sytë jashtë kufijve. Burimet thonë se pas dëshmisë së Mushos se Irena ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, iu kërkuan autoriteteve të drejtësisë së këtij vendi që të verifikonte nëse ajo ndodhej aty. Por nga të gjitha verifikimet e kryera në pikat kufitare të Shqipërisë dhe të pikëmbërritjeve në Amerikë, emri i Irena Selit nuk ekzistonte kund.

Verifikimi

Pas këtyre verifikimeve u hodhën dyshimet se ajo mund të ishte larguar në një shtet të afërt, duke përdorur identitet të rremë. Burimet sqarojnë se, pasi mësuan lidhjet miqësore të familjes Musho me ish-konsullin gjerman, u dyshua se Irena mund të kishte shfrytëzuar pozicionin e diplomatit për t’u strehuar aty. Nga hetimet e kryera rezultoi se, Irena nuk kishte kaluar në asnjë rrugë legale tokësore, ajrore apo detare drejt Italisë. Për këtë shkak u hodh edhe dyshimi se ajo mund të kishte përdorur identitet të rremë për të mbërritur aty. Por, nga verifikimet e kryera para disa javësh nga hetuesit e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me homologët e tyre italianë dhe gjermanë, rezultoi se Irena nuk ndodhej në Itali apo të ishte ndihmuar me strehim nga Tomas Vek në këtë vend. Madje, është vërtetuar se, Tomas Vek, nuk ka pasur asnjë kontakt me Irenën që prej disa kohësh që ajo rezulton e zhdukur, konfirmojnë burimet e organit qendror të akuzës. Ato pohojnë se, tashmë thuajse janë verifikuar të gjitha vendet e mundshme të dyshuara se mund të strehohej Irena Seli, po të ishte gjallë. Kështu mësohet të jenë kontrolluar të gjitha vendstrehimet e të afërmve të saj në Shqipëri. Janë verifikuar të gjitha pikat e kalimit kufitar, nëse ajo mund të largohej në rrugë zyrtare. Së fundmi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kontrolluar edhe në Itali, ku dyshohej të ishte ndihmuar nga ish-konsulli gjerman, por edhe aty nuk rezulton të jetë, shtojnë burimet. E vetmja pikë kyçe që pritet të sqarojë disi situatën rreth zhdukjes enigmatike të Irena Selit, është verifikimi i numrit me prefiks të SHBA-së, që ka kryer disa thirrje në celularin e Agim Mushos, e më pas identifikimit të personit që i bëri, përfundojnë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Nesër plot tre muaj nga zhdukja e Irenës

Irena Seli, bashkëshortja e ish-bosit të kompleksit të elektroshtëpiakeve “Bruno”, që prej datës 16 dhjetor të vitit 2004, rezulton e zhdukur dhe ende nuk ka ndonjë gjurmë të saj. Nesër mbushen plot tre muaj nga dita e zhdukjes së saj dhe ende nuk ka një shenjë apo gjurmë që të vërtetojë se është gjallë. Sipas burimeve të Prokurorisë, janë verifikuar dhe kontrolluar të gjitha ambientet e mundshme ku dyshohej se mund të fshihej, nëse ishte gjallë, por askund nuk është gjetur ndonjë gjurmë e Irenës. Sipas po këtyre burimeve, mësohet se janë verifikuar të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe nuk rezulton në asnjërën prej tyre që Irena të jetë larguar jashtë shtetit në rrugë zyrtare. Gjithashtu, edhe konfirmimi i mbërritur para disa kohe nga Amerika, është se ajo nuk rezulton të ketë hyrë në asnjë pikë kufitare të këtij shtetit, sqarojnë burimet. Ndërsa ajo që urohet nga të gjithë e, sidomos nga familjarët e saj, është që të jetë gjallë e të bëhet e dukshme ndonjë ditë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, nga të gjitha verifikimet dhe hetimet e kryera deritanimë, ende nuk ka konkluduar nëse ajo mund të jetë e gjallë apo e vdekur. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thonë se ngjarja është kualifikuar si rrëmbim personi, por ende nuk ka një dritë jeshile për ta konfirmuar një gjë të tillë.

Prokuroria heton në dy pista të kundërta

Duke mos pasur prova të mjaftueshme dhe për shkak të mos kryerjes së verifikimeve përkatëse ditët e para nga policia e Durrësit dhe nga prokuroritë e rretheve, Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se u detyrua të hetojë në dy pista të kundërta, për të konkluduar në një të vetme. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, disa prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore pranë Krimeve të Rënda, janë duke hetuar çështjen të ndarë në dy grupe. Një grup po kryen hetimin mbi dyshimet se Irena është gjallë, duke verifikuar të gjitha vendet e mundshme që mendohet se ajo mund të strehohet, thonë burimet. Ndërsa grupi tjetër po heton në pistën nëse ajo është vrarë apo zhdukur nga dikush. Burimet sqarojnë se të dy grupet e prokurorëve verifikojnë dhe hetojnë në pistat e tyre, derisa të gjenden prova për të vërtetuar njërën dhe për të rrëzuar tjetrën. Por nga hetimet e deritanishme, duket se nuk është arritur të sigurohen prova që të vërtetojnë nëse Irena Seli është gjallë apo ka vdekur, a është rrëmbyer e vrarë nga dikush. Për siguri të hetimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bllokuar pasaportën e bashkëshortit të saj, Agim Musho, deri në përfundim të të gjitha verifikimeve të mundshme. Burimet thonë se, Agim Musho është marrë disa herë në pyetje dhe deklarimet e tij janë ballafaquar edhe me intervistat e dhëna në media. Nga ballafaqimi i thënieve të tij, vërehet se ka mosmarrëveshje midis rrëfimit për situata të njëjta, sqarojnë burimet. Ato shtojnë se, ndonëse ka kontradikta mes vetë thënieve të Mushos, ende nuk ka një provë konkrete për të vërtetuar se ai ka dorë në zhdukjen e gruas. Pika kyçe e hetimit duket se është identifikimi i personit që ka kryer thirrje në telefonin celular të Agim Mushos, thonë burimet e Prokurorisë. Për këtë verifikim duhet kohë dhe pritet përgjigjja nga drejtësia amerikane, përfundojnë burimet.

Vek firmosi 2000 vizat e anuluara të shqiptarëve

Ministria e Jashtme e Gjermanisë vendosi vitin e kaluar anulimin e 2000 vizave Shengen të marra nga shqiptarët në ambasadën gjermane në Tiranë. Lajmi u bë publik nga mediat gjermane, të cilat theksonin se federalët kishin filluar hetimin ndaj disa diplomatëve gjermanë, ndërmjet tyre edhe ish-konsulli gjerman Tomas Vek, i cili u largua nga detyra. Po sipas mediave gjermane, në fillim të korrikut të vitit të kaluar, Ministria e Jashtme e Gjermanisë vërtetoi raportimet e të përjavshmes "Der Spiegel" për abuzime në dhënien e vizave për shqiptarët, në ambasadën e Tiranës. Në të përditshmet gjermane thuhej se, Ministria e Jashtme kishte pohuar që të gjithë ata punëtorë të ambasadës së Gjermanisë, për të cilët do vërtetohet që janë të implikuar në skandalin në fjalë, duhet të llogarisin, jo vetëm pasojat profesionale, por edhe “hapa të drejtësisë”. Gjithçka ka nisur pas një denoncimi anonim. Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte dërguar një Komision të posaçëm në ambasadën e Gjermanisë në Tiranë. Komisioni në fjalë kishte mundur të konstatojë, që ka patur raste korrupsioni, shërbimesh miqësore apo edhe lëshime të rënda profesionale. Pas këtyre rasteve, Ministria e Jashtme e Gjermanisë mori vendimin që disa punëtorë të saj pranë ambasadës në Tiranë t'i kthejë prapa në Gjermani, apo edhe t'i pezullojë. Në mediat gjermane u tha, se ndër diplomatët që u morën nën hetim nga federalët, ishte edhe konsulli gjerman Tomas Vek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›