E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irlanda i drejtohet FIFA-s: Përsëriteni ndeshjen

"Dora e Zotit: pjesa e dytë". "Irish Times" nuk kursehet të përkufizojë atë që ndodhi të mërkurën në "Stade de France". Të gjitha të përditshmet irlandeze shfaqin irritim, konfuzion dhe pakënaqësi shkatërruese, pas golit të Galas, të ardhur nga një "faull i dyfishtë me dorë" të njeriut-asist Tierri Henri. "Irlanda është e irrituar", "Hajduti Henri ka vjedhur ëndrrat tona", titullon "Irish Independent". "Henri do ta mbajë këtë gol në ndërgjegje për gjithë jetën", thekson "Irish Times". Si ligji më tradhtar i hakmarrjes, fati proverbial i irlandezëve komprometohet në mënyrë meskine pikërisht në kilometrin e fundit drejt Afrikës së Jugut 2010. Kombëtarja e Xhovani Trapatonit ishte superiore ndaj Francës. Aq sa kualifikimi mund të vendosej shumë më përpara me rastet e humbura nga Andrjus, Daf e Kin. Gabime fatale që "i shtohen kapitullit të librit të dhimbjeve të irlandezëve, këtë herë me një hileqar me emrin Henri si protagonist", shkruan "Irish Times". Performanca e mirë nuk i qetëson shpirtrat e trazuar të të gjithë irlandezëve. "Na mashtruan, thotë Riçard Dan. Henri erdhi tek unë dhe e pranoi se e kontrolloi topin me dorë. Tha se ishte e pavullnetshme, por duket në mënyrë të qartë e kundërta". Pastaj mbrojtësi ka sulmuar ashpër FIFA-n: "Kanë vendosur ata se kush duhet të shkonte në botëror. Platini donte Francën në Afrikën e Jugut. Tani duhet të jetë duke festuar". Liam Brady, asistenti i Trapatonit, e ka përkufizuar "një ditë të trishtueshme për futbollin. Që në short dukej se donin që të kalonin Francën dhe Portugalinë. Kështu ndodhi". Liam Bradi ka kërkuar edhe përsëritjen e ndeshjes: "Nëse do të kishte një provë tv si në regbi, ai takim do të përsëritej". Vetë Trapatoni shton: "Nuk jam vetëm i zhgënjyer, jam i trishtuar. Ishte një mbrëmje irrituese, thotë ai. Pas golit gjyqtari duhet të konsultohej me asistentin. Kjo ngjarje komprometon integritetin e futbollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›