Irlanda i thote “po” Traktatit të Lisbonës
DUBLIN- Irlandezët i kanë thënë “po” traktatit të Lisbonës. Sipas të dhënve nga televizioni publik irlandez RTE, 67.1% e irlandezëve votuan pro miratimit të traktatit në referendumin e organizuar. Ky votim pritet t’i hapë rrugën dhe shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Irlandezët hodhën poshtë Traktatin e Lisbonës në referendumin e qershorit 2008, por për të shpëtuar këtë dokument, BE i dha mundësinë irlandezëve të bëjnë një referendum të dytë.
Burimet nga Brukseli kanë shpjeguar se vec zgjedhjeve në Gjermani, një tjetër shkak i shtyrjes së shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, është dhe referendumi i Irlandës.
Irlanda është i vetmi shtet ndër 27 vendet anëtare që vendosi ta ratifikonte traktatin e BE me referendum. Ky traktat njihet ndryshe si kushtetuta e BE, që do lejojë zgjerimet e reja të bllokut dhe do të rregullojë procesin e vendimmarrjes në Europën e Zgjeruar. Duket se irlandezët kanë votuar pro referendumit, pasi duan të shmangin një krizë tjetër ekonomike. Pritet që pas kësaj të hapet rruga për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë, për të cilën Brukseli thotë se do të ndodhë brenda vjeshtës.
(e.n/BalkanWeb)