E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irlanda njohu pavarësinë e Kosovës

• Irlanda njohu dje pavarësinë e Kosovës, me argumentet se lufta e kaluar e ka bërë të paimagjinueshme mbetjen e Kosovës në Serbi.Ministri i Jashtëm, Ahern, tha se qeveria votoi për ta pranuar deklaratën që shpalli Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt për pavarësi. "E di se pavarësia e Kosovës është e dhimbshme për Serbinë dhe vështirë të pranohet. Por, dëshiroj të theksoj se njohja e Kosovës nuk paraqet akt armiqësie ndaj Serbisë", tha Ahern dhe shtoi se, "realiteti është se trashëgimia e konfliktit në vitet '90-të e ka bërë dominimin e Serbisë ndaj Kosovës të paimagjinueshëm". Njohja e pavarësisë pritet të pasohet edhe nga Finlanda dhe Islanda.  "Pothuajse nëntë vjet nën administratën e Kombeve të Bashkuara mbi 90 për qind e popullsisë së Kosovës dëshironte pavarësi, dhe ajo është mbështetur nga shumica e partnerëve tanë në BE, shumë prej të cilëve tashmë e kanë njohur Kosovën", tha Ahern duke kujtuar se vitin e kaluar Irlanda kishte mbështetur propozimin e të dërguarit të posaçëm të KB, Marti Ahtisari, i cili kishte rekomanduar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›