Të lindur më 29 shkurt, nënat: Festojmë më 1 mars
• Për shumë prej nesh nuk ka kurrfarë rëndësie nëse njëherë në 4 vjet muaji shkurt ka 29 ditë. Por për të sjellë në jetë një fëmijë është data më pak e dëshiruar nga të gjitha nënat.zirina llambroDo të bënin gjithçka për ta kapërcyer. E si për çudi ditën e fundit të muajit shkurt të çdo viti të "brishtë" lindjet janë me bollëk. Këtë e pranojnë mjekët dhe mamitë e vjetra të materniteteve të kryeqytetit. Dje tek "Mbretëresha Geraldinë" dhe "Koço Gliozheni" janë regjistruar plot 20 lindje. Si për të mos i prishur brishtësinë vitit 13 prej tyre janë vajza. Nëse do të varej nga nënat, do të rezistonin me forcë për ta shtyrë edhe një ditë urimin e mirëseardhjes për krijesën e re në familje, por tashmë që sikleti i dhimbjeve ka kaluar për to nuk ka aspak rëndësi data 29. I gëzohen bebeve dhe reflektojnë gëzim e lumturi pa fund. "Qejfi ma kishte të mos lindte më 29, por nuk ka asnjë problem mjafton që është mirë dhe e kam në krahë tani", thotë Onida, e cila në orën 5:30 të mëngjesit të djeshëm solli në jetë vajzën e saj Enin. Teksa e pyet sesi do t'ia bëjë për t'i festuar ditëlindjen vogëlushesh, sqaron se çdo vit do të ketë dhuratat e saj në muajin mars. "Do t'ia festoj patjetër, por jo në datën 28 sepse një ditë përpara sjell ters, i bie më 1 mars të marri dhuratat. Ama njëherë në katër vjet më të bukurat se do të jetë vërtet dita e saj", thotë Onida. Sakaq ajo shton se, regjistrimin në gjendjen civile do ta bëjë me datën e vërtetë të lindjes. "Nuk mund t'ia mohoj këtë vajzës, mua do më vinte keq po të më regjistronin me një ditë të ndryshme nga ajo kur kam lindur vërtet. Kjo edhe pse ajo datë përsëritet një herë në 4 vjet", sqaron nëna. Pak a shumë të njëjta janë fjalët e të gjitha lehonave. Disa, madje përgjigjen me zor pasi gjithë vëmendjen e kanë të përqendruar tek krijesa e vogël që mbajnë në krahë. Viti i brishtëMamitë sqarojnë edhe një të veçantë tjetër. Pjesa më e madhe e lindjeve kanë qenë natyrale pa pasur nevojën e operacionit. "E dinë vetë ato kur vijnë, nuk na pyesin ne", thotë Vera, kryemamia në repartin e lindjeve tek materniteti "Mbretëresha Geraldinë", ku numri i lindjeve ka qenë më i lartë. Në regjistër janë shënuar 11 bebe, prej të cilave 8 vajza. Ndërsa tek "Koço Gliozheni" numri i tyre ka qenë nëntë, 5 prej tyre djem. "Kam vite që punoj këtu dhe mbaj mend që sa herë që shkurti ka 29 ditë ka shumë lindje", sqaron mjeku i rojës. Shkencërisht astrologët shpjegojnë se, ky "viti i brishtë" vendos akrepat në vendin e duhur mes hënës, diellit dhe matematikës së njerëzve. Ai vë në vend mungesën e 5 orëve, 48 minutave, 46 sekondave që përllogaritja e njerëzve e ka fshirë për katër vjet rresht. Viti i brishtë ka për qëllim, në njëfarë mënyre, t'u japë kuptim ritmeve natyrore. Nëse një kalendar bazohet në ciklet natyrore të Diellit dhe Hënës ai nuk do të funksionojë, ndaj duhet ndërhyrje. Termi teknik i kësaj ndërhyrjeje është "faktori i rremë". Pikërisht viti i brishtë është "një faktor i rremë". Bota nuk rrotullohet rreth Diellit çdo 365 ditë, por thuajse me një çerek dite më shumë, pra me rreth 6 orë më shumë. Pikërisht kjo është arsyeja që një herë në katër vjet ato mblidhen të gjitha bashkë për të sjellë 29 shkurtin.“Jo gjithmonë ecet me plan”Ka planifikuar gjithmonë pjesën më të madhe të gjërave në jetën e saj. Por kësaj here nuk ja ka dalë dot. Këtë e pranon vetë me plot gojën. Elsa Kaso është njëra prej nënave që ka sjellë dje në jetë vajzën e saj Siborën. Kundër të gjitha parashikimeve që kishte bërë e ëma, vogëlushja vendosi t'ia prishë pak planet, si për t'i thënë se jo gjithmonë funksionon kështu. "Kisha shumë dëshirë që të vinte në ditën e të dashuruarve më 14 shkurt, por kësaj here nuk vendosa unë por Sibora, ndoshta nuk do të jetë kaq e rregullt sa kam qenë unë", thotë duke buzëqeshur Elsa, duke u shprehur se, në të tilla raste çdo programim e planifikim është i kotë. Për të tani nuk ka shumë rëndësi data 29 shkurt. Bashkë me bashkëshortin e saj Ilirin janë në qiellin e shtatë. Ditëlindjen Siborës do t'ia festojnë çdo vit edhe pse me një ditë vonesë. "Por festën e vërtetë do ta ketë çdo 29 shkurt", thotë e ëma. Ajo pohon gjithashtu, se nuk e ka aspak ndërmend që në zyrat e gjendjes civile ta regjistrojë me një datë tjetër, pasi ditëlindja e vërtetë nuk mund t'i mohohet askujt. Braktiset foshnja e sapolindur, nëna me certifikatë të falsifikuarVLORE - Një nënë 19-vjeçare braktis foshnjën e saj pak orë pasi e kishte sjellë në jetë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në shtëpinë e lindjes në qytetin e Vlorës. Nëna e re është paraqitur pranë këtij spitali dy ditë më parë për të lindur, duke u regjistruar me një certifikatë me emrin Gjinovefa Bregu, banore në qytetin e Fierit. Në momentin që është shtruar 19-vjeçarja ka qenë e shoqëruar nga një burrë, i cili është prezantuar si babai i saj. Sipas mjekëve, e reja ka pasur një lindje normale dhe ka sjellë në jetë një bebe të seksit mashkull. Në momentin që do të largohej, pasi ka plotësuar dokumentacionet e nevojshme të daljes nga spitali, vajza e ka lënë foshnjën në duart e infermiereve dhe u ka thënë se do të fliste me prindërit e saj që e prisnin tek dera. Por, ajo nuk është kthyer më pas. Dy orë më vonë, mjekët si dhe përfaqësuesit e këtij pavijoni kanë denoncuar rastin e braktisjes së fëmijës në drejtori, si dhe polici. Sipas mjekes Oriona Xhindoli, 19-vjeçarja nuk kishte shfaqur asnjë shenjë dyshimi se do të braktiste fëmijën pas lindjes. Ajo tregon se nëna e re ka qenë e qetë dhe shumë e komunikueshme duke mos i lënë askujt të kuptonte se do të braktiste fëmijën në momentet e fundit të largimit të saj nga spitali. Nga verifikimi i bërë, nëna e re nuk është gjetur në adresën e regjistruar në maternitet. Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve i braktisjes së një foshnje pas lindjes. Katër ditë më parë një foshnje e porsalindur u braktis në maternitetin e qytetit të Durrësit. q.b