Prishtina, Shkupit: Na njihni shtet të pavarur pa kushte
• Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë lloj kushti nga Maqedonia në këmbim të pavarësisë së Kosovës, duke iu referuar demarkacionit të kufirit me Maqedoninë.Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, tha për televizionin "AlsatMTV" se: "demarkacioni është marrë parasysh ashtu siç kërkon plani i Ahtisarit, por kjo do të ndodhë vetëm pasi Maqedonia ta njohë më parë pavarësinë e Kosovës". Zyra e shtypit të qeverisë së Shkupit ka njoftuar se Maqedonia do të ftojë autoritetet e Kosovës për të diskutuar në mënyrë urgjente demarkacionin e kufirit. Zëdhënësi i qeverisë së Shkupit, Ivica Bocevski, tha se "parashikohet krijimi i një komisioni të përbashkët", në mënyrë që të përcaktohet saktë vija kufitare dhe çështja e demarkacionit mes dy vendeve. Por kjo çështje është vënë si kusht nga qeveria maqedonase për njohjen e pavarësisë. Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, gjatë takimit të tij të fundit në Bruksel, ka refuzuar të deklarojë se kur vendi i tij do të njohë pavarësinë e Kosovës. "Republika e Maqedonisë do të vendosë mbi deklaratën e saktë kur ta shohim më të përshtatshme për interesat tona kombëtare", tha Presidenti maqedonas. Sipas deklaratave të deritanishme, qeveria e Maqedonisë është e vendosur ta shënojë vijën kufitare me Kosovën, sipas marrëveshjes së 2001-it me Beogradin. Ndërsa pala kosovare kërkon një marrëveshje të re me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Maqedonia ka lënë të kuptohet që procesi i njohjes së pavarësisë të fillojë me shënimin e vijës kufitare Kosovë-Maqedoni, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, sipas të cilit 2500 hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin maqedonas. Megjithatë Maqedonia i trembet edhe një vale tjetër dhune në etninë shqiptare në territorin e saj, pasi po për të njëjtën çështje, vijën kufitare Kosovë-Maqedoni, shpërtheu një valë e fortë tensioni mes etnive në vitin 2001. Marrëveshja ndërmjet Shkupit dhe Beogradit për kufirin e Kosovës ishte hedhur poshtë nga Parlamenti i Kosovës, por u pranua nga zyra e OKB-së, e cila ishte e plotfuqishme në Kosovë. Edhe pse Shkupi e ka nënshkruar një marrëveshje për këtë pjesë toke me Beogradin në vitin 2001, pas marrjes së kompetencave nga OKB në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi kanë debatuar se kush kishte të drejtën të nënshkruante marrëveshjen me Shkupin. Demarkacioni i kufirit është përfshirë në planin e ndërmjetësit Marti Ahtisari, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë. Shkupi e ka mbështetur fort këtë plan, pasi thuhet që në përbërje të tij të kërkohet nga Kosova që të nënshkruajë marrëveshjen me Shkupin mbi demarkacionin, ashtu siç thuhet në marrëveshjen e vitit 2001 mes Maqedonisë dhe Serbisë. Shpërthim në Mitrovicë Në pjesën serbe të Mitrovicës ndodhi një shpërthim, nga i cili nuk pati viktima, por u dëmtuan dy makina të Misionit të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarë të policisë thanë se shpërthimi ndodhi në afërsi të stacionit të policisë dhe të Gjykatës së Qarkut në këtë qytet. Veriu i Mitrovicës i banuar me shumicë serbe është bërë skenë e protestave të përditshme të pjesëtarëve të këtij komuniteti, të cilët kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Kohët e fundit në këtë pjesë të Kosovës, ku tensionet janë mjaft të larta, kanë ndodhur disa shpërthime. Pezullohen 100 policë serbë Shërbimi Policor i Kosovës ka pezulluar nga puna rreth 100 policë serbë të rajonit të Gjilanit, të cilët për tri ditë rresht nuk po paraqiten në vendet e tyre të punës. Arsyeja ishte se ata nuk pranonin bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë dhe kanë thënë se do të ju binden vetëm urdhrave të UNMIK-ut, si shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Edhe 70 policë në Graçanicë janë mbledhur të premten para stacionit policor, duke kërkuar që tani e tutje t'i japin përgjegjësi vetëm UNMIK-ut, e jo komandës rajonale në Prishtinë.