Qeveria e Kosovës konflikt me UNMIK
• Qeveria e Kosovës për herë të parë po hyn në konflikt me UNMIK-un mbi çështjen e tranzicionit të kompetencave të institucionit përfaqësues të OKB-së, sipas planit të Ahtisarit.Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pritej që UNMIK të pasonte kompetencat tek institucionet vendore. Zyrtarët e UNMIK-ut thonë se tranzicioni nuk ka filluar ende, ndërsa nga Qeveria e Kosovës thuhet se nga 17 shkurti tranzicioni ka filluar dhe se UNMIK-u do duhej larguar nga Kosova në qershor të këtij viti. Zyrtarë të UNMIK-ut në Prishtinë deklarojnë se Kombet e Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm nuk i kanë dhënë ende instruksione UNMIK-ut për bartjen e kompetencave. Zëdhënësi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, Rusell Geekie, thotë se bartja e kompetencave ende nuk ka filluar. "Nga perspektiva jonë, ne nuk jemi ende në tranzicion dhe kjo çështje i përket Nju Jorkut që ta përcaktojë kur dhe si do të zhvillohet", thotë zëdhënësi Geekie. Si përfaqësues i qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se me 17 shkurtin, Kosova ka një pozitë tjetër juridike, që përkufizohet si shtet i pavarur e sovran dhe pritej që UNMIK ta përmbyllë misionin e vet në Kosovë dhe të largohet që në qershorin e këtij viti. Një zyrtar i Zyrës Civile Ndërkombëtare thotë se UNMIK-u do t'i bartë përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës dhe jo te misioni i BE-së. Zyra Civile Ndërkombëtare, sipas këtij zyrtari, do të jetë në Kosovë në funksion këshillëdhënës dhe mbi-këqyrës lidhur me zbatimin e pakos së Ahtisarit, por nuk do t'i ushtrojë kompetencat e UNMIK-ut. Kjo, sipas tij, nënkupton se Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, që në këtë rast është Peter Faith, do të ndërhyjë vetëm në rast se institucionet e Kosovës bëjnë shkelje të pakos së Ahtisarit.