E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irritova Robenin dhe humbi penalltinë

Arjen Roben

Mesfushori i Çelsit, Obi Mikel, dëshmon episodin me ish-shokun e tij.

E dekurajoja duke i thënë që Çeh e di se ku do ta gjuash

Në minutën e 95-të, Robenit iu besua penalltia, ose më saktë si egoist e mori vetë topin për të shënuar 11-metërshin, pa pyetur askënd, as Gomezin, as Shvajnin, por as trajnerin Hejnkes. Për të dytën herë këtë sezon, ashtu si ndaj Dortmundit përballë Roman Vajdenfelerit, edhe ndaj çekut Peter Çeh, 28-vjeçari holandez e humb atë, duke tradhtuar bavarezët. Ndryshe nga java e 30-të në Bundesligë më 12 prill, në finalen e Mynihut ka pasur një shkak, që e dekurajoi atë ta humbte penalltinë. Psikologu nigerian, Xhon Obi Mikel, ka qenë faktori kyç që çekuilibroi Robenin në ato momente. Ai kishte marrë topin dhe menjëherë holandezi shkoi tia merrte, por ky takim zgjati paksa si shumë, duke hedhur dhe hije dyshimi mes dy shokëve, të cilët kanë qenë shokë skuadre përgjatë dy viteve te Çelsi (2006-2007). Mesfushori nigerian dëshmon mbi irritimin që i shkaktoi Robenit. U përpoqa tia humbisja mendjen Robenit, pasi ishte shumë i përqendruar. I thashë se do ta humbte penalltinë. U mundova ta dekurajoja, duke i thënë që Peter Çeh e di se ku do gjuash dhe do ta kap,- u shpreh Mikel për The Sun, duke shtuar mbi parandjenjën e tij për trofeun. Kur e humbi penalltinë, atëherë të gjithë u çliruam dhe ishim në një mendje se fati është me ne dhe trofeu do na përkasë neve, përfundoi mesfushori i Çelsit, Obi Mikel, i cili ka meritën e tij në atë triumf historik.

Çeh tregon recetën e penalltive
Teksa nigeriani Xhon Obi Mikel bëri gjysmën e punës duke e shpërqendruar holandezin para gjuajtjes së penalltisë, portieri çek Peter Çeh ka kryer më së miri misionin e pamundur, duke ia kapur 11-metërshin ish-kolegut të tij Arjen Roben. Roben i gjuan në pozicione të ndryshme penalltitë. Unë nuk e dija se ku do e gjuante, por pas 95 minutave lojë lojtarët zgjedhin forcën në vend të teknikës. Përveç intuitës, unë kam parë me vëmendje edhe DVD e Bajernit nga viti 2007. Më mjaftuan dy orë për të pasur një ide mbi penalltitë e tyre,- pohon gardiani i Çelsit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›