E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ischinger: EULEX-i hap përpara për dialogun Prishtinë-Beograd

Prishtinë - Ish ndërmjetësi i BE-së në bisedimet shtesë për statusin e Kosovës, ambasadori Wolfgang Ischinger, ka deklaruar se misioni evropian për drejtësi dhe polici do të punojë mbi bazën e udhëzimeve dhe të mandatit nga BE-ja. Në një intervitë të dhënë për BBC, Ischinger tha se “EULEX-i do të punojë mbi bazën e instruksioneve që ka nga BE-ja. Dhe pikë! Në rregull. EULEX-i do të ketë mandatin e tij dhe urdhërat e udhëzimet do të vijnë nga Brukseli dhe jo as nga Berlini as Washingtoni dhe as nga Beogradi e gjetiu”.

Më tej ai vlerësoi se sfidat para së gjithash janë që të kuptohet se ky vendim për vendosje, në mënyrën se si është bërë, është pjesë e një tranzicioni të vazhdueshëm të Kosovës.

Ai tha se misioni i EULEX-it është vonuar me muaj të tërë në vendosjen e tij në Kosovë dhe se është humbur kohë për shkak të vështirësive ligjore dhe politike. “Mendoj se do të ishte e dëshirueshme që të kishte një mundësi të vendosjes së këtij misioni të rëndësishëm të BE-së në të gjitha pjesët e Kosovës muaj më parë. Ne humbëm kohë për shkak të vështirësive ligjore dhe politike. Edhe përkundër kësaj unë jam i vetëdijshëm se jo çdo kush është entuziast për rezultatin e arritur, por është e mirë që në aspekte ligjore dhe në një paqe ligjore ne kemi miratimin e OKB-së” tha Ischinger.

Ambasadori Ischinger e cilësoi vendosjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës si një hap të rëndësishëm, i cili sipas tij do të çojë drejt vendosjes së aranzhmaneve praktike si dhe të kontakteve rreth çështjeve praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai tha se Beogradi tani do të duhej të ndihmojë që popullata serbe në Kosovë të inkurajohet që të bashkëpunojë me EULEX-in.

Sipas tij, nëse Beogradi është këmbëngulës në vendimin politik për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, atëherë popullata serbe duhet të dëgjojë porosinë që vjen nga Serbia dhe të bashkëpunojë me misionin evropian për drejtësi dhe polici.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›