E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ischinger lavdëron Komandatin Buhler

Nga Express më 17 gusht 2011 në ora 16:04

Gjenerali Erhart Buhler, komandant i KFOR-it, ka luajtur një rol të madh në evitimin e konfliktit në Kosovë. Ndërsa propozimet e tij tregojnë se KFOR-i e sheh Kosovën si një tërësi territoriale, ka vlerësuar në një intervistë për Radion Deutsche Welle, Wolfgang Ischinger, drejtor i Konferencës së Sigurisë në Munih dhe anëtar i ish-trojkës në negociatat Prishtinë-Beograd.

“...Mendoj se ai si komandanti i KFOR-it ka luajtur një rol shumë të madh, sepse e ka kuptuar se në vend se të shikojë shkallëzimin e mundshëm, duhet propozuar një zgjidhje, të cilën më pas palët e kanë pranuar - të paktën parimisht. Unë jam i mendimit se nuk duhet të ketë ikje dhe se të dy palët duhet ta zbatojnë. Ne tani presim që edhe serbët e Kosovës të marrin masat e domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë ndër të tjera Ischinger.

Me iniciativën e tij, sipas Ischingerit, gjenerali Buhler dhe KFOR-i kanë dhënë një kontribut të madh dhe kanë evituar shkallëzimin e gjendjes në kufi. “Ai meriton një falënderim të madh për këtë dhe kjo tregon se sa e rëndësishme është prezenca e KFOR-it në Kosovë. Ne do të kemi edhe për një kohë nevojë për këtë mision në Kosovë”, ka thënë ai.

Konflikti për çështje kufiri dhe tregtie mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Ischinger, më mirë të mos kishte ndodhur fare. ”Mendoj se këtu kemi të bëjmë me çështje të cilat është dashur të zgjidhen kaherë. Me rëndësi është që të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti përgjegjësit në Beograd, të kuptojnë se pa zgjidhjen e këtij konflikti, pa marrë parasysh se si do të zgjidhet ai, dyert e Serbisë drejt Evropës nuk mund të hapen më shumë dhe nuk do të hapen. Shpresoj se Beogradi e ka kuptuar këtë në të gjitha nivelet dhe se edhe serbët e Kosovës e kanë të qartë një gjë të tillë”.

Ischinger është i mendimit se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ende ka shanse për sukses. “Po ka shanse dhe duhet të ketë shanse. Nëse ai nuk vazhdohet dhe nëse nuk sjell rezultate në një kohë të caktuar, kjo do të kishte pasoja të mëdha negative për anëtarësimin e të dy shteteve në BE. Kjo do të jetë një problem i madh në veçanti për Serbinë, e cila dëshiron që këtë vit të bëjë edhe disa hapa të tjerë drejt afrimit me BE-në”.

“Unë rikujtoj se ne në kuadër të misionit të Trojkës kemi bërë para tre vitesh propozime të ndryshme për zgjidhjen e problemit, pa njohjen e menjëhershme të plotë mes shteteve. Zgjidhjet janë në tavolinë dhe nuk është vështirë të formulohen. Detyra e udhëheqësve në veçanti në Beograd, por edhe në Prishtinë, është që këto propozime me ndihmën e BE-së t’i realizojë”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me mundësinë e ndarjes së Kosovës, Ischinger shpreh mendimet që ka prezantuar me vite të tëra: “Ndarja absolutisht nuk është kurrfarë zgjidhje”.

“Mendoj se edhe propozimi i gjeneralit Buhler tregon se KFOR-i e sheh Kosovën si një shtet dhe një territor unik të një shteti. Kompetencat e KFOR-it shtrihen në mbarë vendin - duke përfshirë edhe veriun dhe pjesën veriore të Mitrovicës. Mendoj se kështu edhe duhet të jetë. Idetë për ndarje duhet lënë në arkiv dhe duhet gjetur një kompromis për zgjidhje të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë. Një zgjidhje e tillë është e mundur dhe shumë pranë. Ajo do të ishte në interesin e të dy palëve dhe do të ndihmonte këto dy vende në rrugën drejt BE-së”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›