Ish-Presidenti Moisiu: “Berisha fajtor për Gërdecin, më 28 qershor duhet të ndodhë rrotacioni i pushtetit”
Ish-Presidenti Moisiu rishfaqet në opinionin publik me anë të një interviste të dhënë në televizionin “News 24”. Në këtë intervistë, Moisiu ka folur për çështjet e nxehta të aktualitetit politik, si Gërdeci, ligji i dosjeve dhe zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. I pyetur për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, Moisiu fajësoi kryeministrin Berisha si njërin prej përgjegjësve kryesorë, ndërsa lidhur me hetimet tha se këto të fundit nuk prekën aspak kokat e përgjegjësve të tragjedisë. "Gërdeci ka qenë krim i lartë shtetëror dhe aspak nuk ka të bëjë me ushtrinë. Faji që duan t’ia hedhin ushtrisë është për të futur në valle sa më shumë njerëz për të shpërndarë përgjegjësinë që të ulet përgjegjësia ligjore. Kalimi i demontimit të municioneve nga udhëzimet ushtarake në duart e privatëve bëhet për qëllime të qarta të përfitimit ekonomik të personave që ishin në krye të ushtrisë dhe të qeverisë. Ky është një turp për politikën shqiptare. Kryeministri ka përgjegjësinë e tij, kjo nuk diskutohet. Prokuroria duhet inkurajuar dhe mbështetur, por duhet të përgjigjet ai që duhet të përgjigjet, jo bishtat, por duhet të përgjigjet koka dhe ne deri tani jemi marrë me bishtat”, - tha ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Ai tha se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme duhet inkurajuar dhe jo fajësuar, ndërkohë që theksoi se puna e Prokurorisë është thelbësore, pasi vetëm kështu do të ngjallet besimi të Drejtësia. Ish-Presidenti i vendit foli gjithashtu për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai tha se është shumë i rëndësishëm rrotacioni i pushtetit, duke nënkuptuar fitoren e opozitës. “Shpresoj që pavarësisht nga mendimi dhe nevoja për të bërë akrobacira në zgjedhje, duhet marrë shkas nga zgjedhjet e 2005-s, ku rrotacioni u bë në mënyrë paqësore. Ashtu siç kanë vlerësuar edhe analistët, duhen dy rrotacione paqësore për të patur një shtet të pjekur. Në qoftë se ne do të dështojmë në këtë, kjo do të jetë një ‘97-të e dytë”. Moisiu foli gjithashtu për çështjen e ligjit të dosjeve, ku theksoi se qëllimi i këtij ligji është për të frikësuar institucionet e Drejtësisë.
20 Shkurt 2009