E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI forca e tretë që zhvillon miting në sheshin "Skënderbej"

15/05/2005  Meta: Do të garantojmë dinjitetin e pasaportës shqiptare dhe do të arrijmë lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian

"Fëmijët e të ardhurve në Bathoret e Shqipërise, do të ulen, në të njëjtën bankë shkolle me fëmijët e mi"

Lëvizja Socialiste për Integrim me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve ka zhvilluar për herë të parë një miting të madh në sheshin “Skënderbej”, në kryqytet. LSI-ja është renditur kështu në tri forcat politike, që kanë zhvilluar miting në sheshin simbol të vendit. Madje, përfaqësuesit e LSI-së e cilësuan sheshin "Skënderbej", si sheshi i Integrimit. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij ka ftuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që të votojnë për kandidatët e kësaj partie, për t'i dhënë fund tranzicionit 15-vjeçar që po kalon vendi. Ndërsa gjatë të gjithë fjalimit, kryetari i LSI-së ka shmangur akuzat ndaj Fatos Nanos, apo Sali Berishës. Meta u ka premtuar shqiptarëve legalizim të ndërtimeve në zonat informale, lëvizje të lirë të njerëzve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, rritje të pensioneve në qytet dhe në fshat, politika të veçanta për shtresat në nevojë, si dhe i ka kushtuar vëmendje të veçantë të rinjve. “Toka jonë e premtuar është Shqipëria. Ne do të kthejmë dinjitetin e pasaportës kuqezi, me të cilën çdo qytetar i këtij vendi të lëvizë lirisht për punë, studime, biznes, pushime apo për të takuar fëmijët, motrat dhe vëllezërit emigrantë, në të gjithë shtetet e botës”. Në miting kanë dhënë mesazhet e tyre dhe11 kandidatët e LSI-së për kryeqytetin.

Premtimet

Kreu i LSI-së ka premtuar për arsimtarët, mjekët, ekonomistët dhe ushtarakët kthim të dinjitetit të diplomës për profesionet e tyre. Meta, ka premtuar se, me fitoren e forcës politike që ai përfaqëson, “do t'i jepet fund përgjithmonë monopoleve, klientelizmit, konfliktit të interesave, politikanëve-biznesmenë, lidhjes së politikës me krimin dhe kapjes së shtetit nga mafia. Kjo sepse LSI-ja ka vullnet dhe e bazon punën te ngritja e institucioneve. Do ta bëjmë të vërtetën tonë të madhe, gënjeshtrën e deritanishme se ´të gjithë janë e do të jenë të barabartë përpara ligjit´”. Meta u ka premtuar banorëve të shumtë të zonave informale të kryeqytetit se “fëmijët e të ardhurve në Bathoret e Shqipërise, do të ecin dhe do të ulen, në të njëjtën bankë shkolle me fëmijët e mi, e do të jenë qytetarë të barabartë të këtij vendi. Askush nuk mundet t’i mbajë në ankth këta fëmijë e prindërit e tyre me frikën e prishjes së shtëpisë pas 3 korrikut. Ne do ta integrojmë vendin në Evropë, vetëm pasi të kemi integruar të gjithë shqiptarët, për të patur shanse dhe mundësi të barabarta, që askush të mos ndihet më emigrant në vendin e tij”, tha Meta.

Ndryshe nga fjalimet e tjera të kreut të LSI-së, në këtë miting nuk i ka kushtuar asnjë fjali dy përfaqësuesve të partive më të mëdha aktualisht në vend. Duke u përqëndruar në atë se çfarë LSI-ja përfaqëson me programet e saj politike, sociale, ekonomike dhe integruese Meta tha se forca politike që ai kryeson, synon ti realizojë ato të plota në rast fitoreje. Meta ka ftuar qytetarët e mbarë Shqipërisë që të përkrahin LSI-në, “për t'u ndarë përgjithmonë nga makthet e së shkuarës. Qeverisja e këtij vendi, nuk duhet t’i përkasë një kaste monopolesh politike, ekonomike dhe kriminale, porse ajo është një çështje e të gjithë qytetarëve shqiptarë“, tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›