Ish-bosi i "Kambo Marshall" kërkon liri me kusht
Ylli Kambo, i dënuar për mashtrim me firmat piramidale, depozitoi kërkesën e tij në Gjykatën e kryeqytetit
TIRANË- Ish-presidenti i firmës piramidale "Kambo Marshall", Ylli Kambo, i dënuar për mashtrim, nëpërmjet një kërkese drejtuar Gjykatës së Tiranës, kërkon lirimin me kusht, për ditët e mbetura të dënimit. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të këtij insitucioni, ku ish- bosi i firmës rentiere kërkon lirimin e tij me kusht. Ai kërkon t'i falen muajt e mbetura të dënimit të dhënë nga dy vendime ndaj tij në vitet 1998 dhe 2001 për krimin e mashtrimit në kuadër të firmës piramidale. Një kopje të kërkesës penale i dënuari Ylli Kambo e ka depozituar edhe në zyrën e Shërbimit të Provës që drejtohet nga ish-drejtuesi i SHIK-ut në kryeqytet i pandehur për rrëmbim, Arben Sefgjini.
Një kërkesë të tillë i dënuari Kambo e ka përsëritur edhe dy herë të tjera, fillimisht më 16 prill 2008 dhe më 6 qershor 2009, ku pas shqyrtimit të këtyre kërkesave Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ia ka refuzuar për shkak se ai nuk kishte vuajtur 1/3 e dënimeve të marra për krimin e kryer. Kërkesa e Kambos, pritet të gjykohet nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Kreshnik Omari, që pritet të caktojë seancën e parë gjyqësore për shqyrtimin kërkesës. Kohë më parë, i dënuari Kambo kërkoi përllogaritjen e ditëve të mbetura të dënimit, duke përfituar ulje dënimi nga dy amnistitë e fundit të dhëna nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu, po kjo gjykatë, e kryesuar nga gjyqtarja Shefkije Demiraj, muaj më parë i ka pranuar kërkesën të dënuarit të firmës piramidale "Kambo Marashall" shtetasit Ylli Kambo për njohjen e viteve të qëndrimit në burg të tij në Rumani nga ku edhe u ekstradua në Shqipëri.
Sipas kërkesës së fundit të Kambos me nr. 1757, atij i kanë mbetur edhe 8 muaj burg, ndërsa ka vuajtur në institucionet përkatëse 1/3 e dënimit të marrë në dy vendimet e dhëna në vitin 1998 dhe 2001. Sipas padisë, 57-vjeçari Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003, në Rumani, pasi ndaj tij Interpol Tirana kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar. Një vit më pas, ai u ekstradua në Tiranë për të vuajtur dënimin. Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit". Pas apelimit të këtij vendimi, Gjykata e Apelit vendosi dënimin e tij me 7 vite burg. "Kambo Marshall", ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996-1997, kryesisht në qytetin e Beratit, me 62 kreditorë, të cilëve u kishte marë rreth 800 mijë dollarë.