E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro kërkon sërish ndryshimin e masës arrestit

Rekursi

TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të ish-SHIK-asit të arrestuar në Londër, Ilir Kumbaro, i pandehur në procesin gjyqësor të rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, kërkojnë nga Gjykata e Lartë shfuqizimin masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë nga Shkalla e Parë në 2003. Kjo masë është lënë në fuqi edhe nga nga dy shkallët e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Avokatët e Kumbaros, me anë të një rekursi, i janë drejtuar Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë duke i kërkuar shuarjen e masës së sigurisë, pasi sipas tyre kjo masë e dhënë në vitin 2003 është parashkruar. Përveç parashkrimit, avokatët pretendojnë që kjo masë të shuhet, pasi asnjë nga dy bashkë të pandehurit e tjerë të këtij procesit gjyqësor Arben Sefgjini e Avni Koldashi, nuk kanë masë sigurie. Për këtë rekurs Gjykata Lartë ka caktuar datën 2 dhjetor, për shqyrtimin saj, nga treshja gjykuese e kryesuar nga Fatos Lulo. Në vendimin e shkallës së parë thuhet se me kërkesë dhe këmbëngulje të Avokatit të Popullit, organi i akuzës nisi hetimet për herë të parë ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro, duke e akuzuar për rrëmbimin e Ziso Kristopullit eAvdyl Loshajt, si dhe rrëmbimin e zhdukjen e kosovarit Remzi Hoxha. Për këto dyshime, gjykata me kërkesë të prokurorisë i caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë Kumbaros, por, që kjo masë asnjëherë nuk u ekzekutua pasi i pandehuri nuk ishte në Shqipëri. Me arrestimin e tij në Londër dhe vendimin për ekstradimin në Shqipëri, avokatët mbrojtës kërkuan që kjo masë e sigurisë të shfuqizohet pasi i kanë kaluar të gjitha afatet. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas ajo e Apelit, e la në fuqi këtë vendim, ndërsa avokatët iu drejtuan Gjykatës së Lartë me një rekurs ditën e dytë të dhjetorit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›