E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga grabitësve të katër sllovenëve

Imer Hila dhe Gazmend Kulla janë prangosur gjatë natës në kryeqytet. Gjendet edhe makina e grabitur


DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar dje dy personat që kanë kryer grabitjen e katër shtetasve sllovenë disa ditë më parë. Imer Hila dhe Gazmend Kulla janë prangosur gjatë natës në kryeqytet. Sipas hetuesve, ata akuzohen se kanë vjedhur një makinë në Tiranë, të cilën e kanë përdorur për të kryer vjedhjen e dytë në Fushë-Krujë. "Më datë 20.11.2009, rreth orës 01.30 në vendin e quajtur Rr."Sulejman Pasha" në afërsi të Ministrisë së Drejtesisë në Tirane, ata kanë vjedhur një automjet të tipit Ford Fiesta me targa "TR 3379 L", në pronësi të shtetasit H.C banues në Tiranë",- thanë burimet e policisë. Sipas tyre, Hila dhe Kulla kanë grabitur shtetasit sllovenë duke u hequr si punonjës policie. Të arrestuarit kanë ndaluar sllovenët në rrugë dhe i kanë marrë makinën së bashku me të gjitha paratë dhe sendet personale që ata kishin me vete.
Pas grabitjes ata kanë braktisur makinën e parë, të cilës i kanë vënë edhe flakën për të humbur gjurmët. Por policia e ka gjetur makinën ende duke u djegur dhe menjëherë ka ndërhyrë për të shuar flakët por edhe për të gjetur gjurmët e gishtërinjve të grabitësve. Me të pasur emrat e tyre në dorë ka nisur operacioni i arrestimit, i cili është finalizuar në Tiranë.
Ymer Hila u arrestua në një banesë, të cilën e kishte marrë me qira në zonën e Saukut, ndërsa Gazmend Kulla u arrestua në një lokal pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Policia ka gjetur edhe mjetin e vjedhur prej tyre, i cili ishte parkuar në një rrugice në lagjen "Sauk i Vjetër".
Pas arrestimit, Hila dhe Kulla kanë pranuar grabitjen. "Kemi qenë në Tiranë ku arritëm të grabisnim një autoveturë dhe po e dërgonim në fshatin Arameras të Krujës tek shtëpia e Gazmend Kullës. Sapo kaluam Kamzën na parakaluan katër sllovenët. I ndoqëm nga pas duke bërë edhe planin për ndalimin e tyre pasi të hynim në pjesën ku edhe po zgjerohej rruga e autostradës. I zumë rrugën duke ditur se janë emigrantë, por kur vumë re se ata nuk dinin shqip, e patëm më të lehtë grabitjen. I kërcënuam duke i nxjerrë nga makina dhe filluam t'i kontrollonin nëpër xhepa si dhe u morën edhe mjetet e komunikimit celularët. Për të humbur gjurmët, lamë makinën tonë në Thumanë, duke e djegur atë dhe morëm makinën e sllovenëve dhe pasi ikëm deri në kthesën e Bushneshit u kthyem për në Arameras të Krujës ku edhe e futëm makinë në oborrin e shtëpisë së Gazmend Kullës. Më pas u larguam nëpër shtëpitë tona pasi ndamë edhe lekët vendosëm ta shisnim makinën",- ka thënë dje Ymer Hila. Mark Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›