Ish-drejtori Muça fiton gjyqin ndaj Policisë së Shtetit

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muça, foto arkiv
Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muça, fiton gjyqin ndaj Policisë së Shtetit, për marrjen e gradës drejtues i parë.
Më datën 7 dhjetor 2011, Sajmir Muçës, në atë kohë Drejtor i Policisë së Tiranës, iu refuzua nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të
Policisë, mundësia për të konkurruar në gradën drejtues i parë, e cila është dhe grada me e lartë në polici.
Pas refuzimit, Muça, paditi në gjykatë Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse dhe kërkoi shfuqizimin e aktit administrativ nr. 652, i cili e ndalonte për të marrë gradën, drejtues i parë.
Gjyqtarja e çështjes, Manjola Bejleri, 6 muaj pas dorëzimit të kërkesës nga ana e paditësit, Sajmir Muça, pasi u njoh me argumentet e palëve vendosi se, akti administrativ i Drejtorisë së Përgjithshme të policisë është i pavlefshëm, duke shkelur nenin 121-129 të ligjit për Policinë e Shtetit.
Një vendim i tillë i hap rrugë, Muçës të konkurrojë për gradën më të lartë në Policinë e Shtetit.
Sajmir Muça qëndroi në detyrën e Drejtorit të Policisë së Tiranës, për më shumë se një vit, ku në shkurt të vitit 2012, tre muaj pas padisë së ngritur në Gjykatë, u zëvendësua, duke u emëruar kancelar në Akademinë e Policisë.