E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-drejtorit të rafinerisë së naftës i grabiten 85 000 euro

VJEDHJA/ Policia ka vënë në pranga një nga autorët, ndërsa bashkëpunëtori i tij ndodhet ende në kërkim

FIER – Ish-drejtori i rafinerisë së Naftës në qytetin e Fierit, Ilir Dulla, është gjetur nën shënjestrën e hajdutëve teksa i janë vjedhur në banesën e tij 85 000 euro dhe 60 000 dollarë amerikanë. Burime të policisë bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e së hënës kur familjarët nuk ndodheshin në shtëpinë e tyre në lagjen “29 Nëntori”. Dy vetë mësohet të kenë hyrë në banesën e shtetasit Ilir Dulla duke vjedhur të gjitha paratë që ishin në kasafortë, në njërën prej dhomave të kësaj banese. Policia vuri në pranga njërin nga autorit, ndërsa është në kërkim të bashkëpunëtorit të tij. Sipas bluve, autori i kësaj vjedhjeje është Edmond Avdo, 41 vjeç, banues në lagjen “29 Nëntori” ku banon edhe i dëmtuari Ilir Dulla. Mësohet se vjedhësit për hapjen e banesës kanë përdorur çelës dhe, pasi kanë hyrë brenda, kanë kontrolluar të gjithë dhomat. Duket se mundi nuk u ka shkuar kot, pasi në kasafortë (që ende nuk dihet se si e kanë hapur) kanë gjetur një shumë prej 85 000 eurosh dhe 60 000 dollarësh amerikanë. Pas marrjes së parave ata janë larguar. Ndërsa Ilir Dulla, pas kthimit në shtëpi ka parë se ishte vjedhur dhe si pasojë ka shkuar në polici ku dhe ka bërë kallëzimin. Pas disa orësh policia ka prangosur si të dyshuar për këtë vjedhje shtetasin Edmond Avdo, 41 vjeç, nga Fieri. Ai është shoqëruar në polici për t’u pyetur për ngjarjen ndërsa po kërkohet të identifikohet bashkëpunëtori i tij. Ndaj dy personave është ngritur akuza e “vjedhjes në bashkëpunim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›