E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria mbron ministrat e pandehur

Tiranë- Në 60- vjetorin e deklaratës universale për të Drejtat e Njeriut, kryesocialisti Edi Rama e ka quajtur Shqipërinë një vend ku njerëzit nuk janë të barabartë përpara ligjit dhe ku qeveria jep përditë shembullin më të turpshëm të promovimit të kësaj pabarazie, duke u bërë strehë ministrash të pandehur, që nuk paraqiten përpara drejtësisë.Gjatë një konference për shtyp, nga selia e PS-së, Rama u ka kujtuar shqiptarëve se është koha kur të gjithë bashkë duhet të bëjmë gjithçka për ta garantuar të drejtën e zgjedhjeve të lira, të cilat duhet ta ndajnë Shqipërinë nga zullumi i padrejtësisë.

“Pabarazia para ligjit dhe abuzimi i pushtetit me ligjin bën që të cënohet përditë e drejta e qytetarëve të thjeshtë dhe që përditë klientët e qverisë të përfitojnë padrejtësisht në kurriz të të gjithëve”- ka thënë Rama gjatë deklaratës për shtyp.

Sipas tij, sot Shqipëria është një vend, ku e drejta e konkurrencës shkelet përditë nga një shtet i kapur prej një tarafi njerëzish të lidhur me pushtetin. Të drejtat e grave dhe vajzave shkelen përditë dhe trafiku njerëzor për shfrytëzimin e tyre mbetet plagë e madhe, vecanërisht për vajzat nën 18-vjeç. Ndërkohë, që sipas tij, prej 17 vjetësh qeveritë i lënë vendin njëra-tjetrës pa bërë asgjë në këtë drejtim.

E drejta e punës, sipas Ramës është një tjetër e drejtë që shkelet përditë, pasi qindra e mijëra njerër, shumë syresh të rinj, nuk kanë asnjë shans për tu punësuar, përveçse të marrin arratinë nga atdheu, që sot mbahet në këmbë nga dërgesat e emigrantëve.

“Puna e zezë skllavëron të rritur e të mitur, që detyrohen të cmontojnë edhe bomba në kushtet e një pushteti që flet për të drejta dhe nuk bën asgjë, betohet për ligjin dhe njeh urdhrin dhe është bërë shëmbëlltya e korrupsionit”- ka theksuar Rama.

E drejta e pronës, sipas tij, njihet me Kushtetutë dhe shkelet me bekimin e qeverisë nga sekserë si dallkauku serb që ka bërë sekser edhe kryeministrin e Shqipërisë, e që është bërë pasunar i madh dhe pronar i madh në vendin tonë.

Ai ka kujtuar edhe ministrat e qeverisë të përfshirë në afera korruptiove e të përfoluara për këto afera, duke deklaruar se janë pikërisht këta që ofrojnë gratis për oborrin ndihmën juridike për të mundësuar zullumin e Gërdecit e të tjera padrejtësi. "Ministrat e drejtësisë, qoftë ai që sot punon si zëdhënësi i oborrit kryeministror, qoftë ai që nga oborri kryeministror u ngrit në karrigen e ministrit, kanë si meritë të vetme ofrimin gratis për oborrin të ndihmës juridike për të mundësuar të paktën zullumin e veprimtarisë së paligjshme të Gërdecit, zullumin e pasurimit të paligjshëm të sekserit serb të Sali Berishës, zullumet e tjetërsimit të pronave nëpër Shqipëri"- përfundoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›