OMONIA mbledh Këshillin e Përgjithshëm, presion Dules për Barkën
Organizata OMONIA pritet të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të saj pas pak ditësh, për të kërkuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut moslargimin e ministrit të Punës, Kosta Barka, nga kabineti qeverisës, bënë të ditur burime pranë kësaj organizate. Të njëjtat burime theksojnë se OMONIA pritet t’i kërkojë Këshillit Drejtues të PBDNJ-së mosmiratimin e kërkesës së kryesisë së kësaj partie, ndryshe, në rast të kundërt, kjo organizatë nuk do të mbështesë më partinë e drejtuar nga Vangjel Dule. Të njëjtat burime saktësuan se dje ministri i Punës, Kosta Barka, është takuar me ambasadorin grek në Tiranë, të cilit i ka kërkuar mbështetje për situatën në fjalë. Ndërkohë, në një reagim publik, ish-drejtuesi i OMONIA-s, Jani Jani, aktualisht anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, ka akuzuar kryetarin e PBDNJ-së për vendime të njëanshme, si dhe i ka kërkuar Kryesministrit Berisha moslargimin e ministrit Barka nga kabineti. “Kryeministrit Berisha i bëj thirrje të frenojë papërgjegjshmërinë politike të z. Dule, i cili po vepron hapur kundër mazhorancës, kundër elektoratit, kundër minoritetit dhe kundër stabilitetit të vendit”, - ka deklaruar Jani. Ai më tej e ka cilësuar Dulen si mospërfaqësues të minoritetit, si dhe ka kërcënuar për mosvotim politik ndaj PBDNJ-së. “Minoriteti e ka mbështetur dhe e mbështet këtë parti që t’i përçojë politikës dhe shoqërisë shqiptare mentalitetin demokratik dhe evropian që karakterizon këtë komunitet, t'i zgjidhë problemet dhe shqetësimet që kanë të bëjnë me të drejtat e tij dhe të dëgjohet zëri i minoritetit në Parlamentin shqiptar. Në qoftë se kjo parti nuk do shprehë sot dhe në vazhdim këto aspirata, është më se e pritshme që të humbasë mbështetjen e faktorëve politike të minoritetit”, - ka deklaruar Jani Jani.