E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-fqinji i tezes, 27-vjeçar përdhunon minorenen 14-vjeçare

26/04/2005  Denoncon E.D., i arrestuari mohon akuzën

KORÇË - Një vajzë vetëm 14 vjeçe ka denoncuar se është përdhunuar në shtëpinë e tezes së saj nga një ish-fqinj, i cili pas kryerjes së aktit i ka kërkuar të mos i tregonte njeriu. Sipas denoncimit të kryer nga e mitura, ngjarja për të cilën ajo akuzon si autorë shtetasin Bledar Refugjati, ka ndodhur rreth dy javë më parë.

Vetëm të shtunën e kaluar, ajo i ka treguar nënës së saj për gjithçka ajo pretendon se i ka ndodhur.

Mëngjesin e së dielës, nënë e bijë kanë shkuar në polici, ku kanë bërë denoncimin kundër 27-vjeçarit. Mbrëmjen e së dielës, Bledar Refugjati është vënë në pranga nga ana e uniformave blu të komisariatit të Korçës. Ai akuzohet për dhunim banese dhe kryerje marrëdhëniesh seksuale me dhunë me një të mitur.

Gjithsesi i arrestuari deri më tani nuk ka pranuar asgjë nga akuza që i është bërë, duke thënë se ajo është një trillim i së miturës, me iniciale E.D.

Njohja

Sipas rindërtimit të ngjarjes të bërë nga E.D., përdhunimi i saj nga ish-fqinji i tezes ka ndodhur rreth dy javë më parë.

Ngjarja, sipas denoncimit të bërë dy ditë më parë, ka ndodhur në lagjen nr.10 të qyetit të Korçës. Në katin e gjashtë të një pallati në këtë zonë jetojnë dy familje, gratë e të cilave janë motra. Njëra prej tyre ka një vajzë 14-vjeçare me inicialet E.D.

Deri para dy muajsh në katin e katërt të këtij pallati jetonte me qira familja e Bledar Refugjatit, 27 vjeç, me të cilën dy familjet kishin marrëdhënie miqësie dhe hyrje-dalje të shpeshta.

Nga burimet në prokurori mësohet se vajza ka treguar me hollësi gjithçka që i kishte ndodhur.

E përdhunuara

Që nga dita që 14-vjeçarja dyshohet se është përdhunuar kanë kaluar dy javë, të cilat për të duket se kanë qenë ditë të gjata shokimi.

E.D. ka deklaruar para grupit të hetimit të kësaj ngjarjeje se kishte frikë që t’i tregonte së ëmës për atë që i kishte ndodhur. Gjithsesi, burime nga grupi hetimor kanë thënë se nuk dihet nëse midis E.D., dhe Bledarit ka patur ndonjë lidhje të veçantë më parë.

Gjithsesi duke mos qenë në gjendje për ta përballuar e vetme këtë situatë tronditëse, për shkak të moshës së saj të vogël, ajo i ka treguar gjithçka nënës së vet. Pas denoncimit ka filluar hetimi për këtë çështje.

Si rrjedhim me urdhër të prokurorisë, së miturës iu bë një ekspertizë, sipas së cilës vajza është zhvirgjëruar para pak kohësh.

Përdhunuesi

Policia ka arrestuar Bledarin në orët e vona të së dielës, i cili aktualisht jetonte në lagjen nr.15 të qytetit të Korçës. Sipas burimeve policore mësohet së 27-vjeçari e ka mohuar akuzën. Ai është shprehur se ka qenë vetë 14-vjeçarja, e cila e ka provokuar atë herëpashere, por ky jo vetëm që nuk i është përgjigjur provokimit, por edhe e ka goditur një herë, si për t’i thënë që është ende shumë e vogël për të kryer marrëdhënie të tilla.

Sipas tij, E.D., është hakmarrë, duke bërë denoncimin, aq më tepër që ky i kishte thënë se ka një të dashur. Shumë pikëpyetje duket se rrethojnë këtë ngjarje, e cila pritet të zbardhet nga hetimet në vazhdim.

Ngjarja, sipas denoncueses

Bledi më përdhunoi në mes të dhomës”

“Ishte ora 14.00 e mesditës dhe po shikoja televizor në shtëpinë e tezes, kur papritur vjen Bledari. Në shtëpi nuk ndodhej asnjë njëri, sepse tezja dhe burri i saj ishin në punë, si çdo ditë jave. Me të hapur derën, Bledari hyri drejt e brenda, edhe pse i thashë që tezja nuk ishte. Për momentin nuk më erdhi mirë, sepse kush e di se ç’do mendonte, tezja po të më gjente mua vetëm më Bledarin në shtëpinë e saj, por nuk e bëra veten. Që të ikte sa më parë u ngrita për ta qerasur, por ai më zuri për dore dhe më uli pranë vetes. Filloi të më thoshte fjalë dashurie dhe të më trazonte në pjesët intime të trupit. U përpoqa për t’u larguar, por ai ishte i fuqishëm. Më shtriu në mes të dhomës dhe më përdhunoi. I kërkoja shpesh herë për t’u larguar, por më kot. vetëm qaja dhe thërrisja për ndihmë, por s’më dëgjoi njeri. Në fund më premtoi se do më merrte për nuse, në qoftë se nuk i thoja asnjë njeriu për atë që kishte ndodhur”.

Kjo mësohet se ka qenë e gjitha ngjarja e rëndë e treguar nga e mitura para prokurorit të çështjes, i cili më pas ka prerë dhe fletën e arrestit për Bledar Refugjatin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›