Ish-futbollisti i Vllaznisë, në gjyq për pengmarrjen
TIRANË- Ish-futbollisti i Vllaznisë së Shkodrës, Erogen Brajoviç, i njohur ndryshe me pseudonimin Vaso përfundon i pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet për akuzën e “gjobëvënies”. Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas hetimeve njëvjeçare arriti të zbardhë dhe të provojë se 25- vjeçari Brajoviç ka kryer veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë” ndaj dy familjeve Rexha dhe Dragani në Shkodër. Shkak për këtë gjobëvënie, sipas kërkesës për gjykim që “Shekulli” ka siguruar, mësohet se është bërë sherri banal mes ish-futbollistit Brajoviç dhe dy adoleshentëve nga familja Rexha dhe Dragani. “Paraditen e datës 20 gusht të vitit 2007, shtetasi Erogen Brajoviç, lindur dhe banues në lagjen “Salo Halili” të qytetit të Shkodrës ka shkuar të kalojë disa orë pushime në plazhin e Velipojës. Në mbrëmje ai është futur në një lokal nate që ndodhet në pjesën e plazhit të Velipojës, ku është përfshirë në sherr me dy adoleshentë po nga qyteti i Shkodrës me inicialet F.R. dhe G.D. Sherri mes tyre ka qenë fare banal dhe pas sharjeve dhe fyerjeve të ndërsjellta, debati ka përfunduar në grindje me shqelma e grushte. Në këtë sherr, nga hetimet ka rezultuar se ish-futbollisti kishte mbetur i dëmtuar më shumë dhe nuk pranonte fyerjen që i kishin bërë dy adoleshentët. Ish-futbollisti Brajoviç i indinjuar nga dhuna e ushtruar ndaj tij në sy të shumë pushuesve nga Shkodra, i ka dërguar njerëz familjes Rexha dhe Dragani duke i thënë se “ky muhabet nuk mbyllet me kaq dhe familjet tuaja duhet të ngujohen për këtë”. Nuk ka mjaftuar kërcënimi dhe ngujimi i dy familjeve, por veprimet e të pandehurit Brajoviç kanë vazhduar më tej, duke ia marrë me forcë automjetin me tip “Benz-Mercedes” me targa “SH 2062 E” në pronësi të familjes Dragani për rreth 50 ditë”,-thuhet nga akuza. “Pas këtyre kërcënimeve të vazhdueshme, kryefamiljarët e familjes Rexha dhe Dragani për të evituar gjakmarrjen mes dy familjeve janë drejtuar komisariatit të Policisë, në nëntor të 2007 duke denoncuar presionin dhe “gjobën” e vendosur nga 25- vjeçari Brajoviç.