E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qëlloi me thikë bashkëfshatarin, prangoset

Zamir Sino përfundon në pranga një vit pasi ishte shpallur në kërkim

Korçë- Përfundon në burg pas më tepër se një vit kërkimesh nga ana e policisë. Zamir Sino, banor i fshatit Miras të Devollit, i cili kërkohej për plagosjen e bashkëfshatarit u arrestua mbrëmjen e së martës. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se Sino, pas një konflikti me Agim Dulen për çështje pronash, e goditi atë me thikë, duke e plagosur rëndë. Sherri mes dy bashkëfshatarëve, të cilët më parë mësohet se ishin miq njëri me tjetrin, ndodhi në një lokal në qendër të fshatit. Sipas policisë, të dy shtetasit u përfshinë në një konflikt pronash. Fillimisht mësohet të ketë qenë Dule ai që ka goditur me sëpatë Sinon, duke i shkaktuar plagë në trup. Më pas, 54-vjeçari ka vendosur të marrë hak. Kur është ndodhur në të njëjtin vend me Dulen dhe dy djemtë e tij, Sino është ngacmuar prej tyre, çka ka bërë që ai të reagojë duke qëlluar me thikë ish-shokun e tij. Krimi për pak sa nuk është kthyer në tragjedi, por Dule ka shpëtuar vetëm me plagosje. Arrestimi i të kërkuarit u krye gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të martës pas informacioneve të marra për vendndodhjen e tij. Sino mësohet se herë pas here, duke qenë me banim në kufi me Greqinë, lëvizte në shtetin fqinj për t’iu shmangur forcave të policisë. Prangosja e tij u bë pak kohë pasi ai ishte kthyer në banesën e vet. Zamir Sino akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›