E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vritet çobani për një sherr në bilardo

KRIMI NË STAN/ Një grindje e nxitur prej alkoolit ka sjellë vrasjen e vlonjatit 26-vjeçar Kastriot Godole në Kavajë

Një 34-vjeçar vret shokun e tij me 7 plumba. Fle në një dhomë me të dhe e denoncon krimin si vetëvrasje

TIRANË- Vret me shtatë plumba pistolete çobanin dhe më pas lajmëron policinë, duke tentuar të manipulojë krimin në vetëvrasje. Oficerëve të policisë kriminale u është dashur vetëm një këqyrje e trupit, i cili ishte kishte shtatë plumba për të verifikuar se bëhej fjalë për vrasje dhe autori ishte pikërisht denoncuesi. Ngjarja ndodhi tre ditë më parë në fshatin Karpen të komunës Synej në Kavajë, kur Arjan Grami, 34 vjeç, banues në Ndroq të Tiranës ka vrarë me pistoletë 26-vjeçarin Kastriot Godole nga Vlora. Burime zyrtare nga policia thanë se autori dhe viktima ishin punësuar si çobanë në një stan dhe krimi ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta midis dy kolegëve. Ndërkohë, ndaj 34-vjeçarit Arjan Grami u mor masa e arrestit për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”

Ngjarja

Arjan Grami dhe Kastriot Godole, prej dy muajsh ishin punësuar si çobanë në një stan në fshatin Karpen të Kavajës.Ata ruanin bagëtitë e një fshatari dhe flinin në stan. Mbrëmjen e së martës, dy barinjtë pasi kanë mbyllur bagëtitë shkuan në lokalin e fshatit ku konsumuan një sasi alkooli dhe më pas vendosën të luanin bilardo. Mësohet se loja në bilardo është bërë shkak i një grindjeje mes dy barinjve. Burimet nga policia thanë se ata kanë debatuar në bilardo, por nuk e kanë ndalur sherrin edhe pasi janë kthyer në stan. Ndërkohë që i sfilitur nga alkooli, Kastriot Godole ka tentuar të mbyllë sherrin dhe është shtrirë për te fjetur. Në këtë moment 34-vjeçari Grami ka marrë pistoletën që e mbante pa leje dhe ka qëlluar shtatë herë mbi trupin e bariut duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ai e ka mbuluar 26-vjeçarin me një batanije ndërsa i ka lënë edhe pistoletën në dorë. Më pas është shtrirë për të fjetur. Mëngjesin e ditës së nesërme, Grami nuk e ka lëvizur trupin e pa jetë të kolegut të tij, ndërsa vetë është larguar nga stani për të kullotur bagëtitë. Kur është kthyer në mbrëmje ka vendosur të lajmërojë policinë.

Arrestimi

“Shoku im ka vrarë veten”,- mësohet të ketë thënë në polici Arjan Grami. Menjëherë, forcat e policisë së komisariatit të Kavajës mbërritën pranë stanit ku dergjej trupi për të bërë këqyrjen e provave. “Trupi ishte mbuluar me një batanije dhe pranë ndodhej një pistoletë. Sapo hoqëm batanijen kuptuam që nuk bëhej fjalë për vetëvrasje, pasi në trupin e viktimës ndodheshin shtatë plagë plumbash, gjë e cila nuk është e mundur të realizohet nga një vetëvrasje. Arjan Grami ndodhej në stan në atë moment dhe kur i komunikuam se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje, tregoi të vërtetën duke thënë se e kishte vrarë ai”,- thanë për “Shekullin” burime nga policia e Kavajës. Menjëherë 34-vjeçari u shoqërua në ambientet e komisariatit ku dhe u mor në pyetje.

“E vrava se më goditi me shuplakë”

“E vrava se pas një sherri, ai më goditi me shuplakë. Kështu unë e qëllova me pistoletën që e mbaja prej dy vitesh me vete”,- mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë kriminale Arjan Grami. Ai ka rrëfyer me detaje sherrin banal në bilardo, që ka vazhduar më pas edhe në stanin ku flinin dy barinjtë. Ndërkohë në komisariat është paraqitur edhe pronari i dy barinjve, i cili ka bërë edhe tërheqjen e trupit nga morgu për t’ua dorëzuar familjarëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›