E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet hetimi për vrasësin e babait

Elton Lika vrau në muajin nëntor të 2008 të atin në Zall- Mner, se nuk i jepte bukë


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni që do të gjykojë 16 vjeçarin Elton Lika, i cili nëntorin e vitit të kaluar vrau babën me automatik për shkak të dhunës fizike e psikike që viktima ushtronte ndaj tij.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë togave të zeza, të cilët saktësuan se me përfundimin e hetimeve nga institucioni i akuzës, dosja penale në ngarkim të 16- vjeçarit është depozituar në kryesekretarinë e kësaj gjykate, e cila me anë të shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese që do të gjykojë të pandehurin 16- vjeçar për akuzat e " Vrasjes me dashje" dhe "Mbajtje pa leje të armëve luftarake".


Sipas kërkesës për gjykim, që mban numrin rendor 1388, i pandehuri Lika ka qëlluar me dashje në drejtim të babait të tij pasditen e 6 nëntorit 2008 me armën e tipit "Kallashnikov" që viktima mbante pa lejë në banesë.


Mësohet se konflikti baba-djalë ka filluar, disa ditë para vrasjes së kryer më 6 nëntor 2008, pasi 57 vjeçari Ahmet Lika e kishte nuhatur që i biri adoleshent po shoqërohej me një grup të rinjsh që njiheshin në zonën e Zall-Bastarit në Tiranë si kontingjent të policisë.


Duke parë rrugën që i kishte nisur i biri 57- vjeçari Lika kishte tentuar disa herë me fjalë ta bindte të birin për mos shoqërimin e tij me të rinjtë kontingjent. Por, i gjithë mundi me fjalë i kishte shkuar kot, duke ndërruar kështu kursin e sjelljes ndaj të birit për të bindur atë nën ushtrimin e dhunës.


Dy ditë para ngjarjes 57 Lika e kishte detyruar të riun të ndiqte atë në pyllin e fshatit Mal-Mner në komunës Zall-Bastar të Tiranës për të vjelur rrushin në vresht e për të prerë dru për dimër, si mënyrë për ta shkëputur atë nga shoqëria problematike.


Gjatë kësaj dite, të datës 6 nëntor 2008 aty nga dreka 16- vjeçari i kishte kërkuar të atit të largohej nga vreshta e të kthehej në Tiranë tek shokët pasi nuk donte të punonte në fshat. Kërkesa e tij është kundërshtuar nga babai 57- vjeçar i cili ka insistuar se ai do të qëndronte në fshat bashkë me atë.


Mes tyre ka nisur debati e sherri, i cili ka vazhduar edhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë, ku viktima pasi ka ushtruar dhunë ndaj tij e kishte urdhëruar të dilte nga shtëpia e mos të kthehej më.


Të ndodhur në këto kushte, 16- vjeçari kishte marrë armën e zjarrit që mbante babai i tij në shtëpi dhe e ka kërcënuar 57- vjeçarin duke i thënë se "nëse nuk e linte të kthehej në Tiranë, do ta vriste".


Por i bindur se djali i tij nuk mund t'i bënte keq, 57-vjeçari ka këmbëngulur në kërkesën e tij për ta mbajtur atë në fshat, në këtë momentë i riu ka shkrepur armën duke e qëlluar babanë që gjeti vdekjen e menjëhershme.


Pas vrasjes, i riu është larguar nga banesa, për tu arrestuar të nesërmen në mëngjes nga policia teksa po tentonte të hynte në banesën ku kishte vrarë babanë për të marrë rrobat e për të ikur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›