E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena, mbyllen katër njësi që tregtonin akullore

KONTROLLI/ Inspektorët e Shëndetit Publik kanë parë mungesë të kushteve higjieno-sanitare nëpër dyqane


KORÇË- Mbyllen katër njësi që tregtonin akullore në Korçë, ndërsa janë vendosur gjoba për dyqanet problematike. Rritja e temperaturave ditët e fundit ka nxitur inspektorët e Shëndetit Publik në Korçës të ndërmarrin kontrolle të shumta në më shumë se 200 njësi shitjeje në gjithë kryeqendrën e juglindjes.


Njësitë që tregtojnë kryesisht akullore kanë qenë më të kontrolluara, por edhe ato të tregtimit të mishit, bulmetit etj, që janë më të ekspozuara ndaj agjentëve atmosferikë, por dhe që dekompozohen shpejt.


Shmangia e helmimeve të ndryshme që mund të shkaktojnë këto ushqime tek konsumatorët dhe kërcënimi që mund t'i bëhet jetës së tyre ka qenë objekti i këtij kontrolli, ndërsa dy raste me helmim nga ushqimi ditët e fundit tek dy fëmijë në qytetin e Korçës, janë bërë shkak dhe e përshpejtimit të këtyre kontrollove masive.


Duke iu referuar burimeve nga drejtoria e Shëndetit Publik në Korçë, mësohet se kontrollet e nisura në 24 orët e fundit kanë evidentuar probleme të shumta, ndërsa në vëmendjen e tyre kanë qenë të gjitha njësitë e shitjes që tregtojnë mallra ushqimore, për të parë kushtet higjieno-sanitare në të cilat tregtohen, si dhe afatet e skadencës të tyre.


Duket se problemet e konstatuara kanë qenë të shumta, ndërsa është vendosur në mënyrë urgjente mbyllja e 4 njësive që shisnin akullore në dy bulevardet kryesore të qytetit, përveç gjobave të vendosura ndaj këtyre dyqaneve të mbyllura tashmë.


Kushtet në të cilat shiteshin akulloret kanë qenë jashtë të gjitha parametrave të duhur higjieno-sanitare, ndërsa për dhjetëra të tjera në të cilat problemet kanë qenë jo kaq prezente, por gjithsesi të dukshme, janë shoqëruar dhe me gjoba.


Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se inspektorët e Shëndetit Publik në qytetin juglindor kanë vendosur dhe gjoba të shumta për njësitë ku mallrat ushqimore tregtoheshin në kushte jo të përshtatshme.


Janë plot 20 gjoba me vlerë nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë. Ndërkaq kontrollet do të vazhdojnë dhe në ditët e ardhshme, ku objekti do të jetë i njëjtë, por këtë herë ato do të zhvendosen në fshatrat e rrethit të Korçës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›