E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje në Orikum, 15 dosje në prokurori

NDËRTIMET/ Drejtoria e Policisë së Vlorës ka nisur prej ditësh verifikimet për subjektet që punojnë në vijën bregdetare


VLORË - Policia e Vlorës prej disa ditësh po bën "krehjen" e bregdetit Radhimë-Orikum. Pas kontrollit që u është bërë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, mësohet se për mbi 15 prej tyre ka nisur përgatitja e dosjeve me shkeljet e gjetura nga ana e sektorit kundër krimit ekonomik, dosje të cilat së shpejti pritet që të jenë në zyrat e Prokurorisë së Vlorës.


Shkak për nisjen e aksionit ka qenë edhe publikimi herë pas herë i pamjeve që tregojnë për abuzimet që po bëhen në vijën bregdetare të Vlorës me krijimin e moleve, si dhe të ndërtimeve pa leje për qëllime fitimi, sidomos përgjatë stinës së verës.


Aksioni


Me hyrjen në fuqi këtë fillim viti të një shtese në Kodin Penal, e cila bën fjalë për ndërtimet pa leje, nga ana e drejtorisë së policisë Vlorë, janë ndërmarrë këto ditë aksione për kontrollin e vijës bregdetare në të gjithë qarkun.


Lajmi bëhet me dije nga burime të besueshme jashtë strukturave të këtij aksioni, të cilat pohojnë se ai është në vijim dhe do të zgjasë deri në kontrollin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.


Sipas këtyre burimeve, nga kontrolli i kryer deri tani vetëm për pjesën Skelë-Orikum, kryesisht në zona të këtij të fundit, janë konstatuar dhe po përgatiten dosjet për t'u dërguar në prokurorinë e rrethit Vlorë mbi 15 subjekte. Këto kanë ndërtuar bare dhe mole artificiale në breg e brendësi të detit, duke shkaktuar kështu dëme. Siç mësohet, mbi personat përgjegjës rëndojnë akuzat për "ndërtim të paligjshëm" dhe "shkatërrim prone me mjete të tjera".


Problemi

Përgjatë vijës bregdetare në Radhimë ka shumë ndërtime të tilla, të cilat janë bërë shqetësim në zonë. Pronarë baresh apo edhe persona të tjerë anonimë, kanë bërë ndërhyrje përgjatë vijës bregdetare. Ata kanë mbushur deri hapësira detare me zhavor e inerte të tjera, për krijimin e plazheve private dhe moleve ndarëse.


Shqetësimi është ngritur edhe më parë, ndërkohë që shumë herë këto punime pasohen me ndotje në det gjatë punimeve apo edhe përgjatë rrugës automobilistike që lidh plazhin. Ndërkohë, autoritetet vendore të Orikumit deklarojnë se problemi njihet, megjithatë nuk janë marrë masa për pengimin e ndërtimeve të tilla.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›