E Shtunë, 31 Tetor 2026

Caktohet data e padisë së Mediut ndaj Ina Ramës

TIRANË- Dy gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, Fehmi Petku dhe Kreshnik Omari, caktuan datat e seancës së parë gjyqësore ku do të shqyrtojnë kërkesë padinë e ish-ministrit të Mbrojtjes të pandehurit Fatmir Mediu që kundërshton vendimet e prokurorisë së kryeqytetit, për mos fillimin e hetimeve ndaj Ina Ramës dhe prokurorit Sokol Stojani për "nxjerrje të sekretit hetimor".


Kështu, gjyqtari Fehmi Petku ka caktuar datën 17 qershor si dita kur do të shqyrtohet kërkesë padia e avokatëve të ish-ministrit Mediu i cili kundërshton vendimin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, prokuror Gent Xholi për mos fillimin e hetimeve ndaj "shefes" së tij, kryeprokurores Ina Rama për "nxjerrje dhe publikim të sekretit hetimor".


Për leximin në media të kërkesës drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-deputetit Mediu për ngjarjen e Gërdecit dhe publikimin e detajeve hetimore.


Gjithashtu, edhe gjyqtari Kreshnik Omari ka caktuar datën 25 qershor, si ditën e parë të seancës gjyqësore ku do të shqyrtohet kërkesë padia e ish-ministrit Mediu ndaj prokurorisë së Tiranës, për mos fillimin e hetimeve për "nxjerrje dhe publikim të sekretit hetimor", ndaj drejtorit të Zyrës së Hetimit dhe Ndjekjes Penale prokuror Sokol Stojani.


I cili gjatë një emisioni televiziv ku ishte i ftuar ish-ministri Mediu ka nisur sms me pyetje të ndryshme drejt panelit të gazetarëve, duke publikuar kështu detaje të hetimit paraprak.


Kallëzimi i Mediut ndaj kryeprokurores Rama dhe prokurorit Stojani u bë më 23 mars 2009 vetëm pak ditë pasi dosja me 29 të pandehur me në krye ish-deputetin Fatmir Mediu përfundoi pranë Gjykatës së Lartë për tragjedinë e Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›