Shitja e ndeshjeve, nis hetimi për Shkumbini-Bylis
PROKURORIA/ Organi i akuzës ka kërkuar ndihmën e KF Elbasanit për të siguruar prova
ELBASAN - Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedimin penal për ndeshjen e luajtur në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" rreth 3 javë më parë mes Shkumbinit dhe Bylisit, ndeshje kjo që u cilësua nga ekipi i Elbasanit si e trukuar dhe rezultati i paravendosur. Çështja penale ka nisur e bazuar në nenin 197/a të Kodit Penal për "paracaktim të rezultatit të garave".
Në këtë procedim prokuroria ka kërkuar ndihmën e klubit të futbollit të Elbasanit, klub i cili ka depozituar edhe padinë kundër kësaj ndeshjeje. Në një shkresë zyrtare dërguar KF Elbasani, prokurori Elvin Gogaj kërkon mbështetje për provat, në të cilat bazohet klubi i Elbasanit për të ngritur padinë.
Prokuroria e Elbasanit i kërkoi dje KF Elbasanit që të japë informacion lidhur me trukimin e ndeshjes Shkumbini-Bylis. Në shkresën dërguar KF Elbasanit, Prokuroria shprehet se ka nisur procedimin penal nr.586 nën akuzën "për përcaktimin e rezultateve të garave sportive".
Për të vërtetuar akuzën Prokuroria ka kërkuar fakte të tilla si në cilin qytet u zhvillua takimi Shkumbini-KF Bylis më datën 16.5.2009, a disponohen pamje filmike për këtë ndeshje, në cilën nga mediat është lëshuar deklarata e Presidentit të KF Shkumbinit, Xhavit Ismaili, dhe a disponohen të dhëna se kujt person i është shprehur traineri i Shkumbinit, Gugash Magani, për mospërfshirjen në këtë tolerim.
Takimi Shkumbini-Bylis u zhvillua në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit dhe përfundoi në rezultatin 0 me 2 për Bylisin, çka bëri që Elbasani të binte nga kategoria.
Para takimit, trajneri i Peqinit dha dorëheqjen, ndërkohë që për këtë takim reagoi edhe vetë kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili akuzoi dy prej ministrave të qeverisë, të pranishëm në stadium, për përfshirje në një paracaktim rezultati të ndeshjes.
Pritet që Klubi i Elbasanit t'i përgjgjet me prova kërkesave të prokurorisë.