E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-guvernatori: Qeveria euforike përballë krizës

Nga Genc Kondi 

Si vlerësohen kriza aktuale ndërkombëtare dhe rreziqet që përfaqëson ajo për qytetarët shqiptarë? Kjo, ditët tona po bëhet refren i detyrueshëm. Sipas ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, nuk jemi të imunizuar nga risku, pavarësisht nga sigurimet për “mosinfektim”. Ai, në këtë intervistë për Gazetën Shqiptare, ka dhënë opinionin e tij edhe për shumë çështje të tjera, jo vetëm monetare e bankare.
Zoti Cani, nga pozicioni i një drejtuesi të lartë të sektorit, me përvojë të gjatë, mendoni se situata aktuale në sistemin bankar amerikan mund të ketë ndikim direkt ose të tërthortë në sistemin tonë bankar?
Tashmë nuk flitet për një situatë të evidentuar vetëm në sistemin bankar e financiar amerikan, por edhe në atë britanik, evropian e më gjerë. Kuptohet që fillesa dhe pasojat e deritanishme janë më të mëdha dhe më të ndjeshme në SHBA, por janë jo të pakta dhe për më tepër pasojat në vijim do të shtrihen në të gjithë globin, përfshirë Evropën. Për më tepër, duket që do të jetë një krizë që do të prekë të gjithë ekonominë, pra jo vetëm sektorin financiar. Në SHBA, sektori financiar zë 22% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vendit, diçka më shumë se zë sektori bujqësor në PBB-në e ekonomisë sonë. Paralajmërohet që, me gjithë masat e marra, do të ketë dhe banka të tjera që do të falimentojnë.
Lidhjet tona me ekonominë dhe sistemin financiar amerikan janë relativisht të pakta dhe jo të drejtpërdrejta, pra dhe ndikimi direkt është pranë zeros. Edhe një bankë që e kemi ende të emërtuar Banka Amerikane e Shqipërisë (besoj do të marrë emrin e bankës blerëse në të ardhmen), nuk është më amerikane, por e blerë prej më se një viti nga një bankë e fuqishme italiane.
Lidhja nuk është direkte edhe për instrumentet e pakta që ne përdorim në vend. Pra, bankat tona nuk janë përfshirë në lëshimin apo investimin në instrumente të njëjta financiare me ato që u konsideruan si shkaqet e shpërthimit të krizës në SHBA. Por nuk ndaj të njëjtin opinion me disa, që vlerësojnë se, meqë nuk kemi investuar direkt në “instrumente të intoksikuara”, nuk kemi pse të prekemi nga kriza. Mjafton të përmendim që shtrëngimi i kredisë në tregun ndërkombëtar ka çuar në rritje të ndjeshme të normës së LIBOR-it, që është interesi bazë, që përdoret në caktimin e normave të interesit për kredimarrjen në valutë. Pra, në vazhdim do të duhet të përballemi me kredi më të shtrenjta në valutë, si për klientët individë, biznese, por edhe për qeverinë në tregun ndërkombëtar. Prandaj, dhe bankave u del si detyrë të forcojnë analizën për aftësinë shlyese të kredimarrësve në kushtet e rritjes së normave të interesit për kredinë. Gjithashtu, strukturat përkatëse të menaxhimit të riskut në bankat e nivelit të dytë, veç kujdesit më të veçantë në kredidhënie, sidomos për atë në valutë, e cila është akoma në përqindje tepër të lartë në sistem dhe kredinë konsumatore, duhet të përqendrojnë vëmendjen në identifikimin e bankave ndërkombëtare me parametra të shëndetshëm, ku ato vendosin depozitat e tyre në valutë. Lidhur me ndikimin indirekt të krizës në vendin tonë, do të shprehesha që nuk do të mungojë, por, nisur nga të dhënat e deritanishme, për momentin mund të them se nuk duket të kemi ndonjë ndikim të ndjeshëm. Por, nëse jemi mësuar të bëjmë vaksinën nga frika e ndonjë gripi aziatik, duhet po aq të kuptojmë që, kur “zë gripi” ekonominë amerikane, fillon përgatitjet e “merr të ftohtë” ekonomia evropiane e ajo mbarë-botërore. Tashmë simptomat e gripit janë shfaqur dhe në ekonominë evropiane.
Por, nëse do të më duhej të bëja një renditje të mundësive të ndikimit të krizës në ekonominë tonë, nga të dhënat e deritanishme nuk më duket që të ketë renditje parësore sistemi bankar. Në të kundërtën, efektet direkte e indirekte duket se mund të jenë më të mëdha në sektorë të tjerë të ekonomisë, si në eksport-importe, investimet e huaja direkte, dërgesat e emigrantëve, turizëm, shoqëritë e tjera financiare si ato të sigurimit, kredimarrjen nga qeveria në tregun ndërkombëtar, etj.
A duhet t’i tërheqin shqiptarët kursimet e tyre nga bankat e nivelit të dytë, për t’i risjellë aty në një kohë më të mirë?
Më është dashur të përsëris disa herë këto kohët e fundit, që gjithçka diskutohet dhe trajtohet lidhur me pasojat e mundshme të krizës së ekonomisë botërore (pra, që supozohet se mund të prekin ekonominë tonë në të ardhmen), nuk është e lidhur me depozitat e kursimit të individëve. Nga të gjithë treguesit dhe zhvillimet e pritshme në harkun e këtij viti, nuk ka asnjë dukuri që të na paralajmërojë për falimentimin e ndonjë banke në Shqipëri apo rrezikim të mosshlyerjes së depozitave. Është një rrjet i tërë që siguron depozitat e individëve. Sipas standardeve dhe vlerësimeve, jo vetëm të autoriteteve përgjegjëse, por edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, ky rrjet në Shqipëri është i sigurt.
Pra, trajtimi i efekteve të krizës, tashmë tërësore, që ka përfshirë ekonominë botërore, për fat të keq në përkeqësim, nuk ka të bëjë fare me individët e vegjël depozitues, por kryesisht me faktin nëse bankat do të mund të realizojnë fitimet e parashikuara apo jo. Nuk ka vend për panik për tërheqje depozitash.
Banka e Shqipërisë, a po e luan si duhet rolin e saj në këtë krizë?
Në përgjigjen e kësaj pyetjeje më duhet të flas në terma relative. Banka e Shqipërisë, edhe pse me pak vonesë (vetëm pas ardhjes së Misionit të FMN-së në vend), ka marrë rolin që i kërkohet për këtë çështje. E vërteta është që në fillim nuk i kuptoi ndoshta sa duhet përmasat e krizës dhe vlerësoi se nuk do të ketë efekte në Shqipëri. Banka e Shqipërisë, vlerësoj se reagoi me vonesë si dhe në fillim, pati doza optimizmi të pabazuara. Por ky institucion ka tashmë një staf teknik me vlera, që e rikuperoi shpejt situatën dhe ka dalë me vlerësime më serioze, jo vetëm për sistemin bankar, por, në ndonjë moment, edhe për pasojat apo efektet në ekonomi. Kuptohet që ka hapësira për një reflektim të thelluar dhe me më ekspertizë për këtë çështje, që shpresoj do ta kemi në një kohë të dytë, sa më të shpejtë. Ajo për çfarë ka nevojë përmirësimi nga ana e këtij institucioni mendoj që është transparenca me publikun dhe komunikimi me një gjuhë të përshtatshme për të. Situata e krizës botërore duhet kuptuar më në kompleksitet dhe në këtë analizë duhen përfshirë të gjitha nivelet dhe jo t’i lihet spontanitetit. Pikërisht kjo s’funksionoi mirë dhe në Amerikë, kur u vonua kalimi i paketës së ndihmës prej 700 miliardë USD në
Kongres. Pasqyrimi i saktë i gjendjes së shëndoshë të sistemit bankar, gjuha sa më e thjeshtë dhe e kuptueshme janë elementë që e bëjnë për vete publikun, që përgjithësisht ka qenë me besim dhe në mbështetje të politikave të Bankës së Shqipërisë. Mendoj që këtu ka vend dhe për më shumë lëvizje dhe informim dhe nga vetë bankat e nivelit të dytë, me spote publicitare apo njoftime për shtyp. Sigurimi i besimit në treg është parimi kryesor mbi të cilin mbështetet e funksionon tregu bankar në veçanti dhe ai financiar në përgjithësi.
Nga ana tjetër, nuk arrij të kuptoj neglizhencën nga qeveria ndaj efekteve të krizës ekonomike, që ka prekur globin dhe që, për nga përmasat, është e krahasueshme apo pranë asaj të viteve 1929 e 1933. Lajmet që vijnë nga ekonomia botërore tregojnë për përshkallëzim të situatës nga dita në ditë dhe nuk mund të neglizhohen në këtë mënyrë. Mendoj që dhe tek ne të ngrihet një shtab emergjence apo anti-krizë, ku të bëjnë pjesë, jo vetëm kryeministri e ministri i Financave edhe ai i Ekonomisë, por edhe drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse financiare, si guvernatori i BSH-së, kryetari i AMF-se, ekspertë të fushës, etj. Ky shtab duhet të përcaktojë një plan kontingjence, si dhe masat për parandalimin e fenomeneve negative dhe përballimin e situatës në rast të vërtetimit të dukurive të caktuara të krizës dhe në vendin tonë. Mendoj se nuk ka vend për doza vetëkënaqësie dhe entuziazmi të paargumentuar.
Mund të jenë të rralla tashmë vendet e botës, që t’u kenë shpëtuar kthetrave të krizës. Tregjet e aksioneve kanë rënë në mënyrë drastike, që nga SHBA-ja deri në Australinë e largët. Investitorët në mbarë botën janë ngërthyer nga frika lidhur me përshkallëzimin dhe thellësinë e një recesioni të mundshëm global. Masat më të fundit të uljes, thuajse globale, të normave të interesit dhe injektimit në shkallë të konsiderueshme të likuiditetit në treg nga bankat qendrore, deri më sot nuk kanë arritur “të shkrijnë tregjet e ngrira” të kredisë dhe të nxisin besimin e investitorëve. Kjo krizë u ravijëzua fillimisht si krizë e tregut të shtëpive, u përcoll më pas në gjithë ndërmjetësit financiarë të SHBA-së dhe vende të tjera të globit (banka investimesh, shoqëri sigurimesh, fonde pensionesh e investimesh etj.) dhe tashmë po transferohet në ekonominë reale. Kjo, pasi kreditimi përbën gjakun që rrjedh në dejet e gjithë ekonomisë. Nëse ky proces ngrin, siç po ndodh tani, asnjë qeveri apo autoritet mbikëqyrës në botë, nuk do ta kishte ndërgjegjen të larë nga përgjegjësia.

Lidhur me inflacionin, a kane qenë siç duhet deri tani vendimet e BSH dhe, në përgjithësi, ju do të ishit partizan i ndryshimit të rregullave të lojës lidhur me inflacionin, apo duhet të mbetet në nivelin, e rënë dakord me FMN-në?
Çështja e nivelit të inflacionit (besoj që edhe ju e trajtoni në këtë pyetje për nga aspekti, që është diçka më i ulët se sa duhet me pretendimin e disa ekonomistëve e politikanëve, që është diçka pengesë për rritje më të madhe ekonomike), është ngritur herë pas here dhe në kohën që kam qenë guvernator. Asnjëherë nuk është dhënë prej këtyre palëve shifër tjetër alternative, e menduar si më optimale për Shqipërinë, gjë që do të na krijonte bindjen se çështja është studiuar me seriozitet nga ata.
Por, edhe duke hequr dorë nga ky diskutim disi teorik dhe i vështirë për t’u kuptuar nga publiku, do të shprehesha që, nëse kemi mbi një dekadë me norma inflacioni të ulëta (pra, me çmime që rriten çdo vit relativisht pak), nuk ka pse të kërkojmë një politikë tjetër, ku çmimet të rriten më shumë çdo vit. Ne, të gjithë, jemi ankuar nga rritja më e madhe e çmimeve (inflacioni pothuajse është dyfishuar), që po përjetojmë prej më shumë se një viti. Që të ndryshosh një tregues (në rastin konkret, të kërkosh të rritesh inflacionin), duhet të kesh ndonjë arsye të bazuar mirë. Duhet të ketë shkuar keq diçka. Nga ana tjetër, praktika e eksperimentimeve pa bazë në Shqipëri nuk flet për rezultate inkurajuese. Gjërat që i nxjerr jashtë kontrollit është shumë më e vështirë t’i risjellësh në kufijtë e kërkuar (kujtoj që kërkojmë të jemi anëtarë të BE në një të ardhme, ndonëse jo të shpejtë). Veç të tjerave, stabiliteti makroekonomik është ai që “na ka nderuar” e ka kontribuar në vlerësime të larta për vendin në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, që merren si pikë referimi edhe nga shumë investitorë të huaj, para se të investojnë në Shqipëri. Po kështu, tani që dalim në tregun valutor ndërkombëtar për të kërkuar kreditim (qeveria), vlerësimi i vendit do të ishte më i keq dhe, për pasojë, kredia më e shtrenjtë, nëse inflacioni do të jetë i lartë.
Nëse e trajtojmë në rrafshin teorik, tashmë është e pranuar që një inflacion i ulët, në shtrirjen afatgjatë është ndihma më e madhe që mund t’i japë Banka Qendrore një rritjeje ekonomike dhe një punësimi në nivel sa më të lartë.
Pra, niveli i inflacionit të rënë dakord me FMN-në, por në radhë të parë me gjithë aktorët e jetës ekonomike e politike shqiptare, më duket ai i duhuri dhe nuk ka pse të kërkojmë rritje çmimesh më shumë se na janë rritur nga viti në vit.
Për sa i përket punës së Bankës së Shqipërisë lidhur me inflacionin, në përgjithësi do ta vlerësoja si të mirë dhe efektive. Por, Banka e Shqipërisë ka vonuar kalimin në regjimin e inflacionit të synuar, si dhe në analizat e shkaktarëve të daljes së inflacionit nga objektivi është munduar të mbivlerësojë ndikimet nga faktorët e jashtëm (që nuk vareshin nga ajo), ndërkohë që kanë qenë dhe faktorët që ishin nën kontrollin e saj që kanë ndikuar, për pasojë ka pasur dhe mangësi në vetë politikën monetare të ndjekur.
Banka e Shqipërisë, gjithashtu, nuk e vlerësoi që në fillim dhe s’tregoi kujdesin e duhur ndaj dukurisë së kredidhënies, madje në fillim u nxitua me deklarata vetëkënaqësie për rritjen e shpejtë të kreditimit, pa vlerësuar e monitoruar në kohë efektet negative që e shoqëronin atë. Nuk duhet që gjithçka ta korrigjojmë atëherë kur bëhet fakt apo na e vënë në dukje të huajt. Roli i këtij institucioni nuk duhet të jetë vetëm konstatues e reagues, por sidomos parashikues dhe paraveprues.
Si e vlerësoni rolin e FMN-së gjatë kohës që keni drejtuar Bankën e Shqipërisë dhe, a duhet të qëndrojë më tej Misioni i tij në Tiranë, apo duhet të përdoren forma të tjera bashkëpunimi në të ardhmen?
Bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me FMN-në në kohën që kam qenë guvernator ka qenë shumë i mirë dhe, meqë më jepet rasti, falenderoj gjithë ekipet, me të cilët kemi bashkëpunuar e sidomos përfaqësuesin e saj z. Jan-Peter Olters. Meritë e veçantë në këtë bashkëpunim i takon stafit teknik të Bankës së Shqipërisë dhe, kuptohet, Këshillit Mbikëqyrës, si autoriteti kryesor i Bankës. Rezultatet e arritura dhe krijimi i një institucioni dinjitoz për vendin kanë dhe ndihmën e sinqertë dhe me ekspertizë të FMN-së. Nuk është që me këtë nënkuptohet se mund edhe të mos kemi bërë ndonjë gabim, të dy palët, por asnjëherë të qëllimshëm apo me pasoja. Më tepër, roli i FMN-se ka qenë ai i një këshilltari të kujdesshëm dhe miqësor.
Tashmë e vlerësoj si pozitiv faktin që erdhi koha për t’u diskutuar kalimi në një fazë të re bashkëpunimi me FMN. Por, nisur nga një serë arsyesh, që tashmë janë përmendur në median shqiptare, gjykoj që qëndrimi i FMN në statusin aktual në Shqipëri mund të shtyhej edhe për vitin 2009. Ajo që gjykoj më shqetësuese dhe që nuk është përmendur shumë nga ekspertët apo opozita është çështja e statistikave shqiptare, të cilat kohët e fundit ngjallin një dyshim të frikshëm për manipulim në të ardhmen. Shqipëria është një vend, ku transparenca sipas standardeve ndërkombëtare është ende e munguar.
Sidoqoftë, edhe nëse do të vendoset kalimi në bashkëpunim “më në distancë” me FMN-në, me të duhet shtuar shumë bashkëpunimi në fushën e parandalimit e menaxhimit të krizave, pasi kanë eksperiencë dhe ekspertë të mirë në këtë fushë.
Politikat fiskale të miratuara deri tani nga qeveria Berisha, a kanë qenë në rrugën e drejtë? Rezultatet që kanë dhënë deri tani apo që pritet të vijnë, do të jenë pozitive për ekonominë dhe qytetarët?
Përgjithësisht, çështjet e politikave fiskale kanë qenë problem në ekonominë shqiptare, për shumë vite. Kjo qeveri ka ndjekur një politikë të saj, ku më e proklamuara ka qenë ajo e taksave të sheshta. Pa u hyrë vlerësimeve në aspektin politik, por duke ruajtur profil teknik, le të themi në fillim që, sipas vlerësimeve të FMN-së, ka disa suksese dhe të ardhurat janë rritur. Ndërsa qeveria mendoj që e ka zhurmuar propagandën e “sukseseve madhështore” në këtë drejtim. Për të qenë të ftohte dhe për të përdorur po institucionet ndërkombëtare (FMN), duhet thënë që është ende herët për një vlerësim pozitiv.
Personalisht gjykoj që politika fiskale e deritanishme ka mjaft vrima të errëta dhe sidomos zbatimi praktik është i deformuar. Shumë shkurt mund të përmend:
- ligjet, vendimet e qeverisë, aktet e tjera rregullative janë ndryshuar shpesh dhe jo rrallë kanë kundërti, çka ka shtuar kaosin e rrëmujën. Për më tepër, grupet e interesit nuk janë vlerësuar si duhet dhe më shumë janë vënë përpara faktit, në një kohë shumë të shkurtër, në pamundësi për të reaguar, për t’u përshtatur. Në jo pak raste, autorizohet titullari për të bërë favorizime, pa vendosur kriteret mbi të cilat do të bazohet. Kjo është praktikë e dështuar në veprimtarinë tonë të mbi një dekade më përpara, kuptohet dhe me pasoja korruptive.
- sistemi elektronik në tatim-taksa e dogana më shumë ka qenë propagandë se sa realitet. Sjellja e administratës së tatim-taksave e doganës ka qenë brutale ndaj biznesit. Pra, marrëdhëniet mes tyre janë të acaruara (politikë armiqësore e imponuese e jo e konceptuar mbi bazë bashkëpunimi e transparence). Nga FMN vlerësohet si klimë jomiqësore.
- politika fiskale e premtuar në program dhe ajo e zbatuar nuk janë njëlloj, çfarë tregon për mungesë vizioni dhe ndryshime jo të rralla, ndonjëherë dhe të çuditshme gjatë rrugës.
- rritja e të ardhurave që trumbetohet nga viti në vit duhet parë me kujdes. Nga vlerësimet dhe llogaritjet që bëj, del se përmirësimet nga lufta kundër informalitetit, evazionit dhe korrupsionit, shtrirja e bazës janë me rezultante thuajse zero dhe në disa drejtime me për-keqësime, etj. etj. Ekonomia dhe qytetarët kanë pritur e shpresuar një përmirësim rrënjësor dhe përfitimet i kanë pasur me pikatore.
Politika e investimeve që është ndjekur deri tani nga qeveria, në drejtim të rrugëve apo blerjet me çdo çmim të energjisë elektrike, kanë qenë të gabuara apo pozitive?
Është kundër çdo parimi ekonomik dhe e papranueshme për ekonomistët fillestarë të pranohet blerja e një malli me çdo çmim. Blerja e sforcuar e energjisë, pa vizion për nevojat e ardhme, ka pasur ndikim në çmim. Por, më shumë më ka shqetësuar fakti që tregtia e energjisë në Shqipëri është e një “lloji të veçantë”. Nuk kam hezituar ta emërtoj të tipit mafioz, gjë, që ka ndikuar në prishjen e të gjithë parametrave, përfshirë, dhe mbi të gjitha, të çmimeve. Gjithçka, e mirëorganizuar nga “ekspertë” vendas e të huaj.
Lidhur me investimet në tërësi, jo vetëm për rrugët, shqetësues është fakti që ende pas dy dekadash nuk kemi studime fizibiliteti për dobishmërinë e investimeve. Edhe këtu të njëjtat investime mund të bëheshin me shumë më pak para - pra kemi të bëjmë me faktorin korrupsion.

2009, si vit elektoral: ku duhet pasur kujdes nga qeveria apo opozita, në hartimin e programeve të tyre ekonomiko-financiare?
Kësaj pyetjeje po i bie shkurt - të mos veprohet siç është vepruar në të shkuarën. Të mos kthejmë ekonominë në ekonomi elektorale. Bota po shkon në krizë dhe ne duhet doemos të jemi më dorështrënguar me shpenzimet, për të pasur para mënjanë për ditë më të këqija. Megjithëse nuk jemi të prekur direkt nga kriza, duhet të jemi të ndër-gjegjshëm që mundësitë për të përballuar pasojat e saj janë shumë herë më të pakta për vende më të vogla dhe në zhvillim, si i yni.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›