E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-kooperativistët, jo më pension minimal

28/04/2005  Ja metodika e re e llogaritjes së pensionit për ish-kooperativistët dhe ata që punojnë në bujqësi. Pas 7 vitesh barazohen pensionet e fshatit me ato të qytetit

Përveç pensionit bazë dhe një shtesë e përvitshme sa 1% e pagës minimale

Ish-kooperativistët që do të dalin rishtas në pension do të përfitojnë rreth 4.1 mijë lekë të reja. Deri tani një person që kishte punuar në ish-kooperativat bujqësore, edhe pse kontribuonte në skemën e re të sigurimeve shoqërore, mund të merrte një pension minimal fshati, i cili nuk ishte më i madh se 20% e pensionit të qytetit. Reforma e re e miratuar përcaktoi metodikën e re për llogaritjen e një pensioni për personat e vetëpunësuar në bujqësi, i cili tani njëlloj si pensioni i zonës urbane, përbëhet nga dy pjesë, nga një pension bazë (fshati), i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe nga një shtesë, e cila përllogaritet 1% e pagës minimale për çdo vit, që personi ka kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore. Në bazë të kësaj llogaritjeje të indeksimit të përvitshëm të pensionit bazë të fshatit, mbështetur në një pagë minimale, e cila rritet për çdo vit, do të arrihet barazimi i këtyre pensioneve rurale me ato të qytetit në vitin 2012.

Për të përfituar pension të plotë, ish-kooperativistët duhet të plotësojnë dy kushte: të parin e fitojnë apriori, pasi quhen të siguruar për periudhën që kanë punuar në kooperativë gjatë kohës së socializmit, ndërsa kushti i dytë është që pas viteve ’90 të kenë qenë të siguruar për të paktën gjysmën e periudhës.

Mbi bazën e kësaj metodike të re, një person që ka punuar në ish-kooperativat bujqësore dhe ka kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore rregullisht, qysh nga viti 1994 e në vazhdim si person i vetëpunësuar në bujqësi, në vitin 2004 do të përfitonte një pension bazë fshati prej 2590 lekë në muaj dhe me një shtesë prej 1034 lekësh. Në total, kjo shifër shkon në 3264 lekë. Ky pension përfaqëson rreth 54% të pensionit minimal të qytetit. Shtesa e pensionit të fshatit përllogaritet 1% për çdo vit kontribuimi ndaj pagesës minimale që, aktualisht, është 10.343 lekë, pra: 10.343 shumëzuar me 1%, shumëzuar me 10 vjet = 1034 lekë. Pas datës 01.07.2004, kur u bë rritja e fundit, kemi një pension fshati 2978 lekë si dhe një shtesë pensioni për 1140 lekë, gjithsej 4118 lekë ose 38% më shumë se pensioni bazë. Nga politikat e ndjekura është bërë e mundur që një pensionisti që ka kontribuar që nga viti 1994 të përfitojë pensionin maksimal dhe jo atë minimal.

Kështu, sipas të dhënave të INSTAT-it, aktualisht janë rreth 720 mijë persona të vetëpunësuar në bujqësi. Më shumë se 70 për qind e të punësuarve dhe e të vetëpunësuarve në fshat nuk janë të siguruar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo shëndetësore. Ata nuk kanë të drejtë të marrin pension pas moshës së pleqërisë. Ky është një ndër problemet më të mëdha të Institutit të Sigurimeve.

Më 2007 zhduket diferenca mes pensioneve të para ‘93 me ato më pas

Së shpejti pritet të miratohet një tjetër rritje e pensioneve për të kryer barazimin e pensioneve të atyre që kanë dalë në pension para viteve ’93 me ata që kanë dalë më pas. Ministri Bejtaj ka siguruar se në 2007-ën nuk do të ketë më diferenca në lekë mes pensioneve para dhe pas 1993.

Faza e fundit për barazimin e këtyre pensioneve kushton rreth 400 milionë lekë. Sipas ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Buxheti i 2005-ës është një hap më tepër në ngushtimin e diferencës mes pensioneve para ’93-shit dhe të tjerët që janë përfituar pas këtij viti. Pra, është parashikuar që në këtë buxhet, të mundësohet zvogëlimi i kësaj diference dhe barazimi i tyre për shkak të derdhjes së kontributeve. Deri tani janë aplikuar katër faza, por që nuk kanë mundur ta mbyllin komplet ciklin e këtij procesi.

Për këtë arsye është parë e arsyeshme nga ana e Ministrisë së Punës edhe realizimi i një faze tjetër, fatura financiare e së cilës arrin në 400 milionë lekë.

Si llogaritet pensioni i ish-kooperativistit

Për personat që kanë punuar në ish-kooperativa

Sipas specialistëve, raste të tilla i parashikon neni 96 i ligjit “Për sigurimet shoqërore”. Sipas tij, për të përfituar pension në kushte shteti duhet që personi i interesuar të plotësojë vjetërsinë në marrëdhënie me shtetin, jo më pak se gjysmën e periudhës që është përcaktuar në nenin 92. Përveç vjetërsisë në punën e shtetit, duhet të plotësohet dhe mosha për të përfituar pension pleqërie. Kështu, nëse një person është i datëlindjes 10.04.1943, ai duhet të ketë moshën 61 vjeç dhe 34 vjet punë gjithsej. Kështu që nga përllogaritjet e bëra del se për të përfituar pension shteti, ky person duhet të ketë punuar në punë shteti të paktën për 17 vjet.

Ku duhet të drejtohet një fermer që kërkon të hyjë në skemë

Për të përfituar nga kjo skemë, fermeri duhet të dorëzojë në degën e sigurimeve shoqërore vërtetim nga kadastra e rrethit, se ai ka nën pronësi këtë sipërfaqe toke dhe që mbi të ushtron veprimtari bujqësore. Për këtë të fundit bëhen dhe verifikime në mënyrë që të shmanget çdo lloj abuzimi. Më pas, personi i interesuar bën derdhjen e kontributeve në degën e sigurimeve shoqërore të rrethit përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›