E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e ushtrisë do tu shiten qytetarëve

Imami:

Të gjithë qytetarët, të cilët janë të interesuar të blejnë prona, që më parë kanë qenë nën pronësinë e ushtrisë shqiptare, tashmë janë të lirë ta bëjnë këtë. Ishte ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur dje, e deklaroi të hapur procesin e privatizimit të pronave ushtarake. Sipas Imamit, identifikimi i pronave që nuk janë në përdorim efektiv nga Forcat e Armatosura dhe kalimi i tyre për privatizim është pjesë e një plani të integruar veprimi që ne kemi hartuar për çlirimin e Forcave të Armatosura, jo vetëm nga pronat e tepërta, në mënyrë që ato të mos peshojnë më në jetën e përditshme të Forcës Tokësore, Detare e Ajrore. “Ne jemi të interesuar të çlirohemi sa më shpejt nga këto prona dhe për këtë jam i interesuar t’ia paraqes të gjithë publikut dhe qytetarëve shqiptarë, duke i sqaruar që të kërkojnë ato prona që janë të evidentuara”, deklaroi Imami për mediat. Sipas tij, informacionet e nevojshme për këto shitje janë të vendosura në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes. Po kështu Imami ftoi në këtë proces për transparencë të gjithë parlamentarët, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të gjithë të interesuarit që të shohin nëse vlerësimi është bërë siç duhet apo jo.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›