Ish-kreu i komunës së Prezës, në hetim për tjetërsim pronash
TIRANE - Tjetërsimet me pronat përfshijnë në hetime ish-kryetarin e komunës së Prezës në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme të GSH-së, sipas të cilave shkak për hapjen e këtyre hetimeve nga policia janë bërë disa denoncime nga banorë të komunës së Prezës, por edhe hetimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Të njëjtat burime, të cilat nuk preferuan të prononcoheshin me emër, thanë për Gazetën se ish-kreu i komunës, Ramazan Garipi, 62 vjeç, dyshohet se nëpërmjet shpërdorimit të detyrës ka favorizuar tjetërsimin e rreth 10 hektarëve tokë në dëm të pronarëve të ligjshëm të tyre në Prezë. Ndërsa është bërë regjistrimi i procedimit penal, mësohet se nuk është marrë asnjë masë ndaj ish-kreut të komunës së Prezës, i cili pritet të hetohet dhe procedohet në gjendje të lirë. Ndërkohë, dosja pritet t'i kalojë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme. Hetuesit pritet gjithashtu të verifikojnë të gjithë dokumentacionin e origjinës së pronësisë për tokën me sipërfaqe 10 hektarë dhe dokumentacionin me të cilin është kryer kalimi në pronësinë, e cila dyshohet se në fakt u është hequr pronarëve legjitim. Në pesë vjetët e fundit, Garipi rezulton të jetë komunari apo ish-komunari i shtatë që merret në hetim nga organet e policisë dhe prokurorisë, ndonëse në më të shumtën e rasteve dosjet me shkelje që llogariten në miliona janë sfumuar dhe dënimet edhe atje ku kanë qenë, konsiderohen qesharake në krahasim me investimin për hetimin e tyre.
(s.g/BalkanWeb)