Vizat, Shqipëria humb "trenin" e KE
Kalimi i Shqipërisë në listën e bardhë të Shengenit mund të dështojë. Agjencia maqedonase e lajmeve "Makfax" shkruante dje se Komisioni Evropian, nga mesi i muajit maj me siguri do të rekomandojë pezullim të vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, deri në fund të vitit. "Raporti përfundimtar i Komisionit Evropian do të konfirmojë se Maqedonia është më e avancuara në rajon", citohet të ketë deklaruar zëvendëskryeministri maqedonas për eurointegrimin, Ivica Bocevski. Ai i tha agjencisë "Makfax" se është i bindur që qytetarët e Maqedonisë, deri në fund të vitit 2009 do të mund të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa viza. "Jam i bindur se viti 2009 do të jetë vit kur do të bjerë muri i Shengenit për qytetarët e Maqedonisë", tha Bocevski. Raporti mendohet se do të hartohet më 18 maj dhe do të përmbajë pikat deri ku kanë arritur secili prej shteteve të monitoruara. Vëzhgim që u krye pak muaj më parë dhe që kishte në qendër të vëmendjes kushtet e sigurisë, luftën ndaj kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollin e dokumenteve personale deri te të dhënat për atë se kush, kur dhe ku e ka kaluar kufirin shtetëror. Raporti përmban informacione rreth disa takimeve të ekspertëve të Komisionit Evropian dhe ekipeve negociatore nga shtetet e rajonit, si dhe në bazë të asaj që kanë vërejtur inspektorët evropianë. Sakaq, raporti që do të përmbajë edhe rekomandime për pezullimin e vizave, do të jetë temë e mbledhjes së fundit ministrore nën presidencën çeke, në takimin e qershorit. Burimet diplomatike sqarojnë se aktualisht Komisioni Evropian i ka dërguar secilit prej vendeve nën monitorim nga një informacion teknik për nivelin ku ndodhen dhe atë çka është bërë. Mbi këtë bazë informacioni do të bëhet ballafaqimi me atë çka duhet të ishte bërë dhe rrjedhimisht pozicionimi i secilit vend në raport me standardet e kërkuara. Në rast se paralajmërimet e agjencive informative do të rezultojnë të sakta, Shqipëria do të mbetet në një grup të dytë me Bosnjë-Hercegovinën sa i takon procesit të dialogut për liberalizimin e vizave. Pak kohë më parë, në një intervistë për "Shqip" ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, pati konfirmuar se Shqipërisë i duhet ende kohë. Në mënyrë indirekte ai pranoi se Shqipëria nuk do të përfitojë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që pritet të kalojnë në regjimin pa viza. Në muajin prill, një mision teknik me ekspertë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishte në Shqipëri për vëzhgim. Detyra e tyre ishte të analizonin ecurinë në fusha kyçe, si siguria e dokumenteve, migracioni, menaxhimi i kufijve dhe azili, institucionet e zbatimit të ligjit, si edhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Këta janë ekspertët që do të paraqesin edhe raportin e datës 18 maj te vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Do t‘i dërgojnë Komisionit Evropian konkluzionet e tyre, të cilat do të përdoren për të propozuar lëvizjen e lirë pa viza për ato vende që i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara më parë. "Për shkak të fokusimit në shpërndarjen e kartave të identitetit, Shqipëria nuk e ka nisur ende prodhimin në shkallë të gjerë dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, kështu që do të duhet më tepër kohë në këtë fushë", pati deklaruar ambasadori Lohan. I pyetur se nëse Shqipëria dështon në fazën e parë, çfarë do të ndodhë, Lohan tha se "nuk do të ketë detyrime të reja. Dialogu për liberalizimin e vizave do të vazhdojë".