E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kryeprokurori, padi ndaj Ina Ramës

TIRANE-Arjan Ndoja, ish-drejtuesi i prokurorisë së Durrësit padit në gjykatë numrin një të organit qendror të akuzës, Ina Rama. Ndoja, i cili u shkarkua nga detyra për shkak të disa shkeljeve të konstatuara gjatë një kontrolli të ushtruar në prokurorinë e Durrësit, pretendon krejt të kundërtën. Në objektin e padisë civile të dorëzuar në kryesekretarinë e gjykatës më datë 25 nëntor 2009, ish-kreu i prokurorisë së Durrësit thekson se “nga kjo detyrë është larguar duke dhënë dorëheqjen”. Ndaj u kërkon togave të zeza që të shfuqizojnë urdhrin e kryeprokurores dhe mbi bazën e ligjit nr.8737 datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, të saktësohet mënyra e largimit nga detyra e prokurorit të rrethit gjyqësor Durrës. Arjan Ndoja kishte dhënë dhe njëherë më parë dorëheqjen nga detyra, pas kallëzimit që iu bë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për “fshehje të pasurisë”. Prokuroria e pushoi çështjen pasi nuk gjeti prova që të implikonte Ndojën, për të cilin kryeprokurorja Rama firmosi për rikthimin në po të njëjtën detyrë.

“Me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm është ushtruar kontroll në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për një periudhë dyvjeçare. Gjatë këtij kontrolli janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj prokurorie, të cilat rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i saj. Prokurorja e Përgjithshme, mbështetur në konkluzionet e aktit të kontrollit vendosi shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës, Arjan Ndoja”. Zyrtarisht, prokuroria e Përgjithshme njoftoi shkarkimin nga detyra të Ndojës, për shkak të të metave të gjetura gjatë kontrollit. Këtë version e kundërshton vetë ish-drejtuesi i prokurorisë së Durrësit, i cili pretendon se nuk është shkarkuar, por ka dhënë dorëheqjen nga detyra që ushtronte.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›