Ish-pastori luterian bëhet President i Gjermanisë

Presidenti Gjerman Gauk
Ish-pastori luterian dhe aktivisti i të drejtave të njeriut në Gjermaninë Lindore, Joakim Gauk, u zgjodh dje Presidenti i ri i Gjermanisë. Gauk ka kandiduar për këtë post edhe më parë, si rival i të përkëdhelurit të Merkelit, Kristian Vulf, i cili dha dorëheqjen disa javë më parë pas përfshirjes në akuza korrupsioni. Ndonëse pozicioni i tij si kreu i vendit nuk ka shumë kompetenca zyrtare dhe fuqi vendimmarrjeje, Gauk ka një autoritet të fortë moral, pavarësi mendimi dhe nuk ka përkatësi politike, që mund ta kthejë atë në një partner të vështirë për qeverisjen e Merkelit. Gauk, 72 vjeç, ka fituar 991 vota në Asamblenë Federale, që përfshin anëtarë të Parlamentit dhe delegatë rajonalë që zgjedhin kreun e shtetit gjerman. Rivalja e tij në këtë post, veterania dhe aktivistja antinaziste, Beate Klarsfeld, mori 126 vota. E pranoj këtë detyrë me një mirënjohje të pafundme të një njeriu, që ka bërë një udhëtim të gjatë në shkretëtirën politike të shek. XX, tha ai mes të tjerash gjatë betimit. Fitorja e tij nuk ishte vënë në dyshim, qëkur shpalli kandidaturën.