E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet serbe në Kosovë, Daçiç: Refuzova urdhrin e BE

Diskutimi mbi mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare e presidenciale serbe në territorin e Kosovës mund të çojë në një acarim të ri të situatës. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar se, nëse Serbia lejohet nga ndërkombëtarët që të mbajë zgjedhje në Kosovë, vendi do të pezullojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. SHBA dhe BE janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar dje se e ka refuzuar një urdhër të Bashkimit Europian për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë. Nga BE kanë kërkuar që si lideri i Partisë Socialiste të Serbisë ta urdhërojë Sllavica Dukiç Dejanoviçin (kryetare e Parlamentit të Serbisë, nga PS) që të mos i shpallë zgjedhjet serbe në Kosovë, tha ai për gazetën Press. Por, kjo do nënkuptonte heqjen dorë nga Kosova. Nuk ka kërkesë që mund të më detyrojë ta bëj këtë. Zgjedhjet janë shpallur, ndërsa se a do të mbahen, kjo është tjetër punë. Por, nga Kosova nuk kemi hequr dorë, theksoi Daçiç. E përditshmja serbe Blic, bazuar në burime ndërkombëtare, raporton se  Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara nuk përkrahin kurrfarë zgjedhjesh në Kosovë nën organizimin e Beogradit, por nuk do të lejojnë që qeveria e Kosovës të jetë represive nëse ndodh të mbahen zgjedhjet parlamentare, thotë bashkëbiseduesi i ditores Blic. Ky lloj reagimi erdhi pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se Kosova po përgatit një plan veprimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të saj, të stimuluara nga Beogradi dhe strukturat paralele të tij në Veri të vendit. Sipas Rexhepit, Policia e Kosovës nuk do të lejojë fillimisht hyrjen e materialit zgjedhor në kufizimin mes Serbisë e Kosovës. Ndërsa në mbledhjen e katërt të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se me këtë gjest (paralajmërimin për zgjedhjet) Serbia po ia dikton axhendën e saj të brendshme Kosovës dhe po i jep guxim Maqedonisë për të ushtruar terror ndaj shqiptarëve atje.

Jo pavarësisë
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoj, tha se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sepse kjo është në favor të interesave të përgjithshme të spanjollëve. Deklarata vjen, në një kohë kur brenda Bashkimit Europian janë rritur presionet për njohjen e pavarësisë nga pesë vendet që nuk e kanë njohur ende atë, si shpërblim për marrëveshjet sakrifikuese që ka bërë Kosova me Serbinë. Rajoj tha se do të ishte e pakuptimtë që qeveria aktuale ta ndërronte qëndrimin e vet, duke qenë se më herët e kanë përkrahur qëndrimin e qeverisë së mëparshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›