E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Piva kafe me Rexhën natën e rrëmbimit”

• Dedë Ismaili, roje i komunës Katund i Ri në Durrës pohoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda se, mesnatën pas 7 korrikut 2005, ka pirë cigare dhe kafe me Abedin Rexhën.Fatos Mahmutaj Në këtë mënyrë ai përjashtoi në gjyq pretendimin e akuzës se vëllezërit Rexha, kanë marrë pjesë në rrëmbimin, torturimin dhe ekzekutimin në Has të Behar Kastratit. Kufoma e tij u gjet në liqenin e Fierzës, poshtë urës së Kloshit, 50 ditë më vonë e dekompozuar. I thirrur nga mbrojtësit e të pandehurve për të dëshmuar, Ismaili pohoi se njihej prej vitesh me Rexhët. Në fillim të 2004-ës, kishte nisur të punonte roje te komuna ku ishte njohur me Abedinin, ndërsa Qamili kishte një lokal aty pranë ku shpeshherë shkonin për kafe. “Mbrëmjen e 7 korrikut, shkova si zakonisht në punë, ndërsa në dritat e motoçikletës pashë në rrugë Qamil Rexhën, pranë lokalit të tij, të cilin e përshëndeta me dorë. Pak metër më tej është komuna ku shkova dhe mora shërbimin nga Abedini”, pohoi Ismaili duke pretenduar se nuk e mbante mend orën e saktë, por në ato momente ishte errësuar. Dëshmia Dëshmia e 38-vjeçarit Ismaili u administrua nga gjykata, në cilësinë e provës, ndërsa ai u pyet edhe nga prokurorët dhe vetë të pandehurit. I pyetur nga Abedin Rexha, se si ishin takuar bashkë ai pohoi çdo natë takoheshin të dy dhe pinin cigare ose dhe ndonjë kafe në lokalin e Qamilit, ndërsa të dy ishin rojë të komunës. Ato ditë, gjatë kohës së zgjedhjeve, Ismaili tha se së bashku me Abedinin kishin marrë urdhër nga policia që të ruanin zyrën e Gjendjes Civile të komunës nga frika e vjedhjes së certifikatave, apo regjistrave të Gjendjes Civile, të cilat ishin gjahu më i preferuar për falsifikatorët, ndërkohë mund të përdoreshin edhe nga votuesit për të abuzuar me votat.SeancaNë lidhje më këtë, Ismaili kujtoi para gjykatës se mbrëmjen e krimit, i kishte tërhequr vëmendjen kolegut të vet, Abedin Rexhës, ku i kishte thënë se sipas porosisë së policit të komunës, duhet të ruanin mirë zyrën e Gjendjes Civile pasi votimet ende nuk kishin mbaruar. Më pas dëshmitari Ismaili u pyet edhe nga organi i Prokurorisë ku shpjegoi se e kishte fiksuar këtë datë, pasi dy ditë më pas ishte thirrur në polici ku kishte dhënë deklarime të njëjta me ato që tha dje në gjykatë. Pas tij u pyet edhe dëshmitari Arben Manxhaku, i cili gjithashtu pohoi se mbrëmjen e 7 korrikut 2005 kishte parë në fshatin Katund i Ri në Durrës dy vëllezërit Abedin dhe Qamil Rexha. Këta janë dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja dhe vetë të pandehurit, ndërsa në seancat në vazhdim pritet të pyeten edhe dëshmitarë të tjerë.Dëshmitë, provat kryesore të akuzës kundër Rexhëve TIRANE - Provat mbi të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi dy vëllezërit Rexha ishin fillimisht dëshmia e nipit dhe mbesës së mjekut të zhdukur Behar Kastrati, të cilët pohuan se dy ditë pas zhdukjes së xhaxhait të tyre, në numrin e telefonit fiks kishin marrë disa telefonata, ku një zë burri anonim u thoshte se Behar Kastratin e ka vrarë Qamil Rexha. Pas kësaj, Prokuroria mori në pyetje Brahim Gecin, nip të largët të dy vëllezërve Qamil dhe Abedin Rexha, i cili pohoi se u kishte dhënë atyre informacione për lëvizjet e mjekut. Sipas tij, në bazë të informacioneve që u kishte dhënë ky, natën e krimit Rexhët e kishin rrëmbyer dhe ekzekutuar Kastratin. Më pas gjatë procesit ku e ndryshoi dëshminë duke pohuar se, kishte folur nën presion dhe se asgjë nuk ishte e vërtetë nga ato që ishin thënë. Tashmë në këtë proces ka nisur shqyrtimi i provave të mbrojtjes, kur në bazë të kërkesës së avokatëve dhe të pandehurve janë thirrur për t’u pyetur në gjyq disa persona, ndërsa në seancën e ardhshme do pyeten të tjerë. f.m.Misteri i dëshmisë së personit të penduarTIRANE – Rreth dy muaj pas zhdukjes së Behar Kastratit policia ndaloi me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Ibrahim Gecën, banor i Hasit. Ai u mor në pyetje nga hetuesit pasi mbahej në arrest lidhur me një armë pa leje të gjetur në shtëpinë e tij. Fillimisht Geci pretendoi se vëllezërit Rexha e kishin porositur të mbikëqyrte lëvizjet e Behar Kastratit dhe t’i informonte ata. Geci dha edhe përshkrime të tjera lidhur me ngjarjen të cilat sipas Prokurorisë, ishin të vlefshme mirëpo në momentin kur dosja mbërriti në Gjykatën e Krimeve të Rënda, qëndrimi i personazhit që u konsiderua i penduar, ndryshoi. Ai tërhoqi të gjitha deklarimet që kishte bërë duke thënë se ishte detyruar të pohonte fakte e rrethana si pasojë e presionit të ushtruar gjatë mbajtjes në ambientet e policisë së Kukësit. Prokuroria pretendoi se thëniet dhe kushtet e marrjes së tij në pyetje ishin regjistruar me videokasetë mirëpo vetë Ibrahim Geci përsëri mohoi të gjitha deklarimet që kishte bërë, duke humbur edhe statusin e të penduarit.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›