Lavrov: Kosovë e pavarur, luftë në Evropë
• Rusia ka paralajmëruar perëndimin kundër njohjes së deklaratës së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar se një akt i tillë do të rikthente shpërthimin e luftërave në të gjithë Evropën, Lavrov tha se pavarësia do të shkaktonte reaksione zinxhir të lëvizjeve separatiste në të gjithë botën. Ministri i Jashtëm rus, nuk përmendi ndonjë provincë të tillë separatiste me emër të veçantë, përfshirë edhe provincën e turbulluar separatiste të Rusisë, Çeçeninë, por tha se njohja e pavarësisë pa u aprovuar nga OKB do të shënojë sëmundjen e sigurisë globale. Parlamenti i Kosovës pritet të shpallë pavarësinë më 17 shkurt, ditën e diel. “Po flasim për shkeljen e të gjitha ligjeve bazë ndërkombëtare në Evropë, të cilat mund të rezultojnë në vite të tjera luftë dhe mosmarrëveshje”, tha Lavrov në takimin e anëtarëve të OKB në Gjenevë. “Kjo do të ishte njëlloj sikur të minonim vetë sigurinë në Evropë. Në mënyrë të paevitueshme do të rezultonte me reaksion zinxhir në shumë pjesë të botës, përfshirë Evropën dhe kontinente të tjera”, shtoi ai. SHBA-të dhe pjesa më madhe e vendeve të BE-së e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë Rusia, si aleate tradicionale e Serbisë, e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Lavrov ka shfrytëzuar komunitetin serb në Kosovë për të sensibilizuar diplomatët në OKB. “Çfarë do të bëjmë me serbët që jetojnë në Kosovë?”, pyeti ai. “Nuk ka përgjigje për këtë pyetje”. Por Lavrov ka harruar të pyesë veten se çfarë do të ndodhë me minoritetin shqiptar në Kosovë në rast se ajo nuk fiton pavarësinë. A do të jetë e mundur bashkëjetesa me Beogradin? Pas Gjenevës, lobimi i ministrit të Jashtëm të Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës vazhdon në Slloveni, ku sot ai do të marrë pjesë në takimin e treshes së Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse. Ministria e Jashtme e Sllovenisë njoftoi se takimi i Lavrov me Dimitrij Rupel, Havier Solana dhe Benita Ferero Valdner, do t’i kushtohet kryesisht çështjes së Kosovës dhe disa konflikteve të tjera në botë si procesit paqësor në Lindjen e Mesme, si dhe marrëdhënieve midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian. Sllovenia, e cila aktualisht kryeson BE-në ka paralajmëruar se qëllim i këtij takimi do të jetë kryesisht përpjekja për të “zbutur” qëndrimin e ngurtë të Rusisë kundër pranimit të pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel ka theksuar se nuk duhet frikësuar pranimit të pavarësisë së Kosovës, si “precedencë” në raport me të Drejtën ndërkombëtare të sovranitetit të shteteve, pasi Kosova është rast “sui generis”.Anulim pavarësi Ashtu siç pohoi në Mynih dy ditë më parë presidenti serb Boris Tadiç, Rusia është bërë gati në mënyrë formale të paraqesë dokumentet e anulimit të aktit të njëanshëm të pavarësisë së Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj. Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka deklaruar dje se të gjitha institucionet e Serbisë tani kanë qëllimin më të rëndësishëm që në prag të pavarësisë së njëanshme të Kosovës të shprehin unitetin shtetëror dhe kombëtar në mbrojtjen e provincës. “Kemi marrë vendimin që qeveria e Serbisë të anulojë sa më parë të gjitha aktet anti-juridike për shpalljen e njëanshme të këtij shteti të rremë në tokën e Serbisë”, ka deklaruar Koshtunica. Sipas tij, Beogradi nuk do të lejojë që për asnjë orë të ekzistojë krijesa e tillë, porse ajo duhet juridikisht të anulohet të njëjtin moment kur nën udhëheqjen e terroristëve të dënuar të shpallet në mënyrë të paligjshme. “Serbia i ka bërë ballë me vendosmëri të gjitha presioneve të jashtme, shantazheve, lehtësirave dhe shpërblimeve të ofruara që në çfarëdo mënyrë të justifikojë dhunën juridike dhe të bëhet bashkëpjesëmarrëse në shkeljen brutale të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244”, përfundoi kreu i qeverisë serbe.Berisha: Festoni me dinjitet, gjithë bota me sytë nga ju Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha priti dje kryetarin e Komunës së Gjakovës, së bashku me një përfaqësi të zgjeruar me personalitete, ku u bëri thirrje atyre të festojnë me dinjitet pavarësinë sepse sytë e të gjithë botës do të jenë drejtuar tek ata. “Kombi shqiptar po përjeton një nga momentet më të shumë pritura e më të gëzueshme të historisë së tij siç është kurorëzimi i pavarësisë së Kosovës. Të gjithë kosovarët duhet të jenë në lartësinë e një gëzimi të ligjshëm e të përmbajtur, pasi sytë e gjithë opinionit botëror janë fokusuar tashmë tek kjo fitore. Akti i shpalljes së pavarësisë duhet te trajtohet me dinjitet si një obligim për gjithë sakrificën shekullore të popullit të Kosovës, por dhe një mirënjohje për gjithë dashamirësit kudo në botë që e kanë mbështetur dhe kanë simpatizuar kauzën kosovare”, tha Berisha. Kryeministri i siguroi ata se qeveria shqiptare do të japë gjithë mbështetjen e duhur qeverisë së Kosovës, pushtetit vendor të saj si dhe gjithë grupeve shoqërore dhe ekonomike që synojnë zhvillimin dhe forcimin e një shteti demokratik.Thaçi akuzon për sabotazh në prag të pavarësisë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ka indikacione të bazuara që avaria e ditëve të fundit në KEK-është sabotazh, duke premtuar sabotuesit se do të përgjigjen para drejtësisë. Thaçi ka komentuar me tone mjaft të ashpra për avarinë në Bllokun B2 të Termocentralit Kosova B të cilën ai e ka quajtur sabotazh në prag të ditës së shpalljes së pavarësisë. “Kemi indikacione të bazuara se defektet e paraqitura në KEK nuk janë defekte, por sabotazh. Prandaj, të gjithë ata që bëjnë sabotazhe të tilla, në ditët e pavarësisë së Kosovës do të përballen me drejtësinë”, tha kryeministri. Thaçi nuk dha detaje se kush janë sabotuesit ndërkohë që shtoi se gjithë angazhimi i tij sot ka qenë shqyrtimi i mundësive që pavarësinë ta festojmë në dritë e jo në terr. Këto komente kryeministri i bëri pas një takimi me përfaqësuesit e agjencive të udhëtimit, ndërkohë që i ka sensibilizuar të gjithë ata të lehtësojnë udhëtimin e bashkatdhetarëve nga diaspora që dëshirojnë të bashkohen për të festuar pavarësinë. “Në asnjë rrethanë të mos ketë ngritje të çmimeve të biletave, por thjesht të ketë një përkujdesje dhe një lehtësim për udhëtimin e tyre dhe kam marrë zotimin, mund të them se kemi edhe një marrëveshje mirëkuptimi në këtë drejtim që do të keni përkrahjen e plotë nga Qeveria”, tha kryeministri. Në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë do të ketë festime për të cilat qeveria një ditë më parë emëroi grupin organizues, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që kjo ditë të festohet me sa më pak zhurmë dhe kanë marrë premtimin e Thaçit se do të jetë një festë e madhe por e sigurt. Shumë shqiptarë pritet të mbërrijnë në Kosovë gjatë kësaj jave për të festuar shkëputjen e saj nga Serbia, një akt që pritet të ndodhë më 17 shkurt. Në zonën e Mitrovicës, kreu i bashkisë, Bajram Rexhepi u ka kërkuar qytetarëve që të mos provokojnë minoritetin serb, dhe ka kërkuar bashkëpunimin e plotë të KFOR-it për çdo rast incidenti që mund të ndodhë mes etnive. KFOR ka marrë përsipër me garanci të plota sigurinë në të gjithë Kosovën në ditën e madhe të pavarësisë. Perëndimi gati ta njohë pavarësinë “Bota perëndimore është e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Ilka Kanerva, ministër i Jashtëm i Finlandës pas takimit me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs. Kanerva tha se me Rajs nuk është diskutuar data e shpalljes së pavarësisë, por mbështetja e vendeve mbi këtë iniciativë. Ndërkaq, duke folur për Misionin e OSBE-së në Kosovën e pas-statusit, Kanerva vendi i të cilit ka edhe kryesinë gjatë këtij viti të kësaj organizate, tha se është optimist që OSBE do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë. “Alternativa më e mirë është vazhdimi i misionit aktual, alternativa e dytë më e mirë është të negociojmë për një mandat të ri të misionit dhe mundësia e tretë është që Bashkimi Evropian të marrë përsipër aktivitetet në Kosovë”, tha Ministri i Jashtëm finlandez Ilka Kanerva. Rusia dhe Serbia kërcënojnë me veto për ndalimin e Misionit të OSBE-së në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.