Shitja e banesave, lëmsh në Hipotekë
• Kush ka blerë shtëpi pas datës 1 janar të këtij viti, nuk mund ta regjistrojë pranë Hipotekës. Shkak për këtë është udhëzimi i Ministrisë së Financave për çmimet referuese.Fabiola ÇelaSipas burimeve nga Hipoteka, deri tani nuk është regjistruar asnjë shitje banese, kjo deri sa të zbardhet në detaje udhëzimi i Ministrisë së Financave. Specialistët e Hipotekës kanë pranuar vetëm kontratat e shitjes së banesave, ndërsa pagesa do të bëhet në një kohë të dytë. Sipas tyre, të gjithë qytetarët që kanë blerë apartament kanë dorëzuar pranë Hipotekës kontratën e shitjes, ndërsa për pagesën do të njoftohen me anë të postës. Kjo ndodh pasi edhe vetë specialistët e Hipotekës nuk janë të qartë sesa është vlera e taksës që duhet të paguajnë qytetarët. Ndërkohë brenda kësaj jave, Ministria e Financave do të publikojë një udhëzim të ri për çmimet e shtëpive të ndërtuara para vitit 1990.Udhëzimi Që nga 1 janari i këtij viti ka hyrë në fuqi udhëzimi më i ri i Ministrisë së Financave për përcaktimin e çmimeve referuese në shitjen e banesave dhe trojeve. Sipas këtij udhëzimi, shitja e shtëpive do të tatohet mbi bazën e çmimeve të referencës. Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë vendosur që kalimi i pronësisë për pasuritë e paluajtshme, pra shtëpi, toka, do të tatohet 10 për qind mbi fitimin e realizuar. E thënë më thjesht, nga shitja e shtëpisë me një vlerë të caktuar, më të lartë se sa ajo e blerjes, mbi diferencën do të aplikohet një taksë 10 për qind. Në mënyrë që udhëzimi të mos anashkalohet, por të zbatohet me përpikëri, financat kanë parashikuar që të mos bëhet kalimi i pronësisë në Hipotekë, në rast se nuk paguhet më parë tatimi. Sorollatjet Prej më se një muaji qytetarët janë të detyruar që të sorollaten më kot nëpër zyrat e Hipotekës për të regjistruar pronën që kanë blerë. Udhëzimi i Financave i gjeti të papërgatitur noterët, të cilët duke mos pasur informacionin e duhur vazhdonin të kryenin akte shitjeje me çmimet e vjetra, pasi nuk ishin në dijeni të këtij urdhri. Situata vazhdon të jetë e tillë dhe ende nuk dihet se kur do të nisë regjistrimi i pasurive në zyrat e Hipotekës. Shtëpitë e vjetra Përcaktimi i çmimit minimal dhe maksimal për shtëpitë e ndërtuara para vitit 1990, kanë krijuar mjaft debate. Këta të fundit i kanë shtëpitë e privatizuara nga shteti, të regjistruara në Hipotekë me çmime shumë të ulëta. Mesatarisht një apartament u privatizua në fillim të viteve 1990 me një çmim prej 25-30 mijë lekë, rreth 2500-3000 lekë metri katrorë. Sot në rast se do të shitet një apartament i tillë, detyrimisht do të ketë një çmim minimal për efekt tatimesh prej 50-150 mijë lekë metri katrorë. Kjo bën që diferenca mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes të jetë shumë i madh. Në këtë mënyrë, edhe tatimi prej 10 për qind të fitimit do të jetë shumë i madh. Në një situatë të tillë, Ministria e Financave është duke hartuar një udhëzim të ri vetëm për këtë kategori banesash.Kush përjashtohet nga taksa Sipas urdhrit të Financave, nga tatimi do të përjashtohen të gjithë ata që blejnë shtëpi të reja. Pra, apartamente të sapondërtuara. Tatimi në këtë rast do të mbahet nga ndërtuesi që ngre pallatin. Nga tatimi janë përjashtuar edhe pronarët e tokës, mbi të cilën bëhet një ndërtim, pra pallat. Apartamentet dhe dyqanet që ata përfitojnë si përqindje për dhënien e truallit nuk do të tatohen. Por në rast se ata, pronarët e truallit, do t’i shesin sërish apartamentet ose dyqanet, atëherë do të funksionojë skema e re, me 10 për qind tatim mbi fitimin e krijuar. Në rastet kur do të shitet trualli, atëherë çmimet e referencës do të jenë ato të përcaktuara nga qeveria, për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pra, çmimet me të cilët ish-pronarët përfitojnë kompensim. Nga kjo rregullore do të përjashtohen ata që kanë kryer shitjen e pronës me kontratë noteriale para datës 31 dhjetor 2007.Kerri: Taksa 10% do rrisë çmimet e banesaveDeputeti i opozitës, Pilo Kerri, i cili ka lidhje direkte me fushën e ndërtimit për shkak të profesionit të arkitektit, shprehet se aplikimi i taksës 10% për transaksionet në pasuritë e paluajtshme, do çojë në rritjen e çmimit të banesave. Ai kërkon nxjerrjen e metodikave për banesat shtetërore të privatizuara në vitin 1993.Si i gjykoni udhëzimet e sapo nxjerra nga qeveria për ligjin për tatimin e fitimit në transaksionet e pasurive të paluajtshme?Udhëzimet sapo kanë dalë ndërsa ligji i tatimit me 10% të fitimit mbi këto transaksione ka nisur të zbatohet në 1 janar 2008. Kjo vonesë ka krijuar një kaos të vërtetë në zyrat e noterëve dhe gjyqtarëve, por ndërkohë dhe qytetarët janë shokuar, ndërsa pjesa më e dëmtuar në zbatimin e këtij ligji është kategoria e qytetarëve që kanë privatizuar banesat e tyre të sistemit shtetëror në bazë të ligjit të privatizimit të banesave në vitin 1992.Përse e thoni një gjë të tillë? E them këtë sepse në atë kohë çmimet, qoftë edhe të trojeve nën banesa por dhe të vetë banesave ishin gati-gati simbolike. Madje një kategori e mirë e apartamenteve të ndërtuara para vitit ‘60, janë falur. Nisur nga ky fakt nuk ka sesi sot të vësh tatimin e fitimit të siguruar për këto banesa, që është diferenca midis çmimit të sotëm të apartamenteve në tregun shqiptar dhe çmimit të kësaj kategorie, që janë jo më pak se 350 mijë apartamente, pasi nuk është real çmimi i vendosur dhe i aplikuar sipas këtij ligji.Cili do të jetë mekanizmi që do duhet të rregullojë këtë kategori?Unë kam mendimin që për këtë kategori, që për hir të së vërtetës nuk është e vogël, qoftë për trojet e privatizuara, qoftë për qytetarët që kanë përfituar nga privatizimi i banesave shtetërore, duhet që ky ligj të mos veprojë për 3-4 muaj, të pezullohet deri në daljen e një metodike të saktë ku të përcaktohet në radhë të parë vlera reale e banesës dhe e truallit në vitin 1993-‘95, ku merret parasysh vendndodhja e godinës, vjetërsia e saj, pra gjithçka që përbën elementët përbërës të vlerësimit të një banese dhe të një trualli dhe pas vendosjes së këtij çmimi, të bëhet indeksimi i çmimit të ’95 me çmimet e 2008. Ky duhet të jetë çmimi fillestar që duhet të merret parasysh nga noterët për transaksionet. Ju jeni shumë afër fushës së ndërtimit. Çfarë efektesh mendoni se do të japë vendosja e tatimit 10% për transaksionet e pronave?Unë jam me profesion arkitekt, profesion që lidhet me ndërtimin me një biznes që dhe pse modest, është përqendruar në këtë fushë. Efektet ekonomike dhe sociale për aplikimin e kësaj takse, në këtë mënyrë siç është paraqitur ligji, do të jenë negative. Së pari, nga mospërcaktimi i saktë dhe real i vlerës fillestare i banesës, diferenca mes çmimit të shitjes sot dhe çmimit të saj në atë kohë është shumë e madhe dhe jo reale. Kjo përkthehet në më shumë para nga shitësi i banesës për arkën e shtetit në mënyrë fiktive. Së dyti, do të kemi ngritjen artificiale gati 10 për qind, sa është dhe taksa e re e çmimit të banesave. Kjo vjen në një kohë kur nuk kemi një konkurrencë të ndershme të tregut, pasi ky treg do të çoroditet nga aplikimi i saj. a.l.