OSSH: Energjia elektrike të rritet me 31%
Publikohen tarifat e kërkuara nga kompania çeke për rritjen e energjisë. Hiqet tarifimi me dy blloqe për familjarët
TIRANË- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bën publike masën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike që ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjetikës. Ashtu siç edhe ishte publikuar në media, bëhet fjalë për një rritje që vërtitet nga 19 deri në 31 për qind në varësi të konsumatorit dhe linjës me të cilën ai furnizohet.
Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se për konsumatorët familjarë është hequr tarifimi me dy blloqe. Pra nëse më parë, një abonent familjar që konsumonte deri ne 300 kilovat/orë e paguante atë me 7 lekë, ndërsa ata që e kalonin këtë prag paguanin 12 lekë për kw/h ,tashmë do të paguajnë njësoj.
OSSH-ja ka propozuar heqjen e këtij sistemi pagese dhe fiksimin e çmimit për të gjithë konsumatorët familjarë në 9.15 lekë për kW\h. Bëhet fjalë për një rritje me 31 për qind në krahasim me çmimin që paguajnë tashmë abonentët familjarë që kanë shpenzuar deri në 300 kW\h.
Ndërsa për sa i përket atyre që konsumojnë mbi këtë shifër, kemi të bëjmë me një ulje të çmimit deri në 24 për qind. Pavarësisht kësaj, më se shumti konsumatorët familjarë jo shpesh e kalojnë shifrën e mbi 300 kilovat orëve ku nëse rritja e kërkuar merret në konsideratë e plotë nga ERE shtuar edhe TVSH-në, do t'i rëndojë së tepërmi xhepat e tyre.
E njëjta shifër rritjeje me 31 për qind është kërkuar edhe për energjinë e konsumuar për ambientet e përbashkëta, siç është ajo për ndriçimin e shkallës, për furnizimin e ashensorit, e pompave të ujit, etj.
Bizneset
Rritje e konsiderueshme është kërkuar edhe për furrat e bukës apo ndërmarrjet e prodhimit të miellit që furnizohen me linja të tensionit të ulët. Nëse deri më tani për çdo kilovat të harxhuar ato paguanin 7.5 lekë, në qoftë se kërkesa miratohet siç është, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të duhet ta paguajnë me 9.75 lekë.
Edhe për furrat apo ndërmarrjet e prodhimit të miellit që furnizohen me linja të tensionit të mesëm është kërkuar e njëjta masë rritjeje me 30 për qind.
Pra nëse më parë çdo kilovat të harxhuar e kanë paguar me 7 lekë që nga dita e parë e vitit të ardhshëm do t'iu duhet ta paguajnë me 9.07 lekë. Disa ditë më parë prodhuesit e bukës kishin kërcënuar me rritje të çmimit të bukës nëse do t'iu shtrenjtohej energjia elektrike.
Sipas tyre, përqindja e rritjes do të reflektohej direkt në çmimin e bukës pasi fitimi ishte ulur në nivele minimale. Pra nëse merret në konsideratë rritja me 30 për qind pritet që edhe çmimi i bukës të rritet me një shifër të përafërt.
Edhe për bizneset e tjera bëhet fjalë për një rritje nga 19 deri në 30 për qind në varësi të linjës me të cilën furnizohen. Ndryshim bëjnë ato që furnizohen me linjë të tensionit të lartë, ku ashtu si edhe industria çdo kilovat të harxhuar do ta paguajnë me 7 lekë.
Rritje e konsiderueshme është kërkuar për bizneset që furnizohen me linjë të tensionit të mesëm. Nga 8 lekë për kË\h që paguanin deri më tani, OSSH ka sugjeruar një rritje 30 për qind duke kërkuar që për çdo kilovat këto të fundit të paguajnë 10.43 lekë.
Për sa i përket bizneseve që furnizohen me linjë të tensionit të ulët, OSSH ka kërkuar një rritje të çmimit me 19 për qind. Pra nga 10 lekë që e kanë paguar deri më tani, sipas kërkesës pas 1 janarit 2009, ata duhet të paguajnë 11.89 lekë për çdo kilovat.