E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-presidentët Meidani e Moisiu: Topi ka të drejtë

Dy ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu dolën dje në mbështetje të kreut aktual të shtetit. Në prononcimet e tyre për mediat, ata dënuan bllokimin e dekreteve të Bamir Topit nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërsa kritikuan edhe faktin se shteti ynë është larg të qenit shtet ligjor.

Deklaratat

"Unë do të thosha se gjithmonë është i nevojshëm një bashkërendim mes institucionesh", vlerësoi Rexhep Meidani. Sipas tij, është e pakuptueshme në këtë rast ku qëndron thelbi i problemit. "Me sa kam parë në media, kandidaturat janë tepër serioze", vlerësoi Meidani. Në këndvështrimin e ish-presidentit Alfred Moisiu, procedurat që po ndiqen në rastin konkret nuk janë aspak normale. "Këtu, Kryetarja e Parlamentit, po ia atribuon vetes disa kompetenca që nuk ia jep as Kushtetuta dhe asgjë tjetër", theksoi Moisiu. Ai nënvizoi se dekretet e Presidentit janë dekretet e kreut të shtetit. "Dhe, pavarësisht se jemi Republikë Parlamentare, kjo ka të bëjë me faktin se Kuvendi është një nga institucionet kryesore të shtetit me krijimin e këtyre institucioneve që kanë kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore", sqaroi Moisiu. Nuk mundet, shtoi ai, në asnjë mënyrë që të sorollaten institucionet e vendit në atë mënyrë. "Më vjen keq ta them që një dekret i imi i dhjetorit 2005 ku u emërua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese gjyqtarja Gjinovefa Gaba është akoma pa përgjigje nga Parlamenti", kujtoi Moisiu. Sipas tij, kjo është përgjithësi e gjithë politikës shqiptare, edhe e opozitës, e cila e ka ditur dhe duhej ta ndiqte këtë punë. "Edhe kjo ka qëndruar në heshtje, ose ka hedhur ndonjë fishekzjarr në të rrallë", tha Moisiu, duke këmbëngulur se këto janë gjëra që tregojnë se shteti jonë është ende larg të qenit shtet ligjor.

Dekretet

Në datën 12 maj, Presidenti Bamir Topi firmosi dekretimin e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Artan Zeneli, Kristaq Traja dhe Zamir Poda ishin përzgjedhja e kreut të shtetit për të zënë vendin e anëtarëve që u skadoi mandati. Në datën 22 maj, dy emra të tjerë u firmosën nga Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ata ishin Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj, që plotësonin zëvendësimet e momentit në këtë shkallë të gjyqësorit. Në total, dekretet me pesë emrat kanë shkuar në Kuvend, por që nga ajo kohë nuk është bërë i mundur shqyrtimi i tyre. Opozita akuzoi kryeparlamentaren se ka marrë kompetenca që s‘i takojnë, duke i kërkuar Shërbimit Informativ dhe policisë verifikimin e kandidaturave të sjella nga Presidenti. Në përgjigje të kësaj, Jozefina Topalli deklaroi se po zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ngarkon Kuvendin të miratojë propozimet, pasi merr në diskutim emrat. Vetë Topi është shprehur se është në të drejtën e Kuvendit të shprehet në mbështetje ose jo të propozimeve, por nuk është normale që dekretet të bllokohen në Kuvend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›