KQZ shqyrton sot kërkesën e referendumit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton sot kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për mbajtjen e referendumit kushtetues. Sakaq, dje, grupi nismëtar zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë të Lezhës. Kreu i komitetit Artur Zheji tha se shantazhi që po bën Berisha ndaj Presidentit të Republikës, vjen pikërisht nga fuqitë e tepërta që iu dhanë natën e errët të 21 prillit. "Që nga 21 prilli në Shqipëri kemi një Kryeministër arrogant, një Kryeministër që shantazhon çdo institucion të pavarur në Shqipëri", tha ai. Ilir Meta falënderoi të pranishmit për solidaritetin e treguar në mbrojtje të Kushtetutës. Ai sqaroi se me nenet e ndryshuara ne kemi tani një Kryeministër që qëndron sipër Parlamentit, Gjyqësorit dhe Presidentit. Milo theksoi se procesi i referendumit, i cili tashmë ka nisur, është një kontribut shumë i çmuar jo vetëm për rivendosjen e vullnetit të sovranit, jo vetëm për kthimin e vendit në rrugën e demokracisë parlamentare, por njëkohësisht edhe për rikthimin në rrugën e integrimit evropian. "Ju kërkoj ndjesë për kolegët e mi, që për një vend pune në Parlament e shitën Kushtetutën. Demokracia në Shqipëri është tepër në rrezik, tha Koçi, sepse Berisha ka kapur një pjesë të opozitës, Partinë Socialiste dhe në veçanti Ramën.