E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli zbut tonet pas kritikave të SHBA-së

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zbutur tonet në lidhje me debatin e zhvilluar me opozitën, për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, dhe akuzat e hedhura ndaj Kryeprokurores, Ina Rama. Duke mos dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë për deklaratën e bërë nga ambasadori i SHBA-së dy ditë më parë, i cili theksoi se organi i akuzës duhet të lihet i qetë të punojë dhe se Kuvendi duhet të procedojë sa më shpejt për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu, kryetarja Topalli është shprehur se Kuvendi është i vendosur në heqjen e imunitetit. "Hetimi duhet të jetë i paanshëm dhe i gjithanshëm, i bazuar në fakte dhe në prova. Parlamenti është i vendosur për të hequr imunitetin. Kjo është përsëritur disa herë dhe do të ndodhë shumë shpejt. Këshilli i Rregullores ka filluar punën për raportin. Unë mendoj që, ndërkohë që hartohet raporti, do të vijnë edhe dokumentet shtesë që deputetët, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar", është shprehur Topalli. Ajo ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të shkohet në thelbin e çështjes dhe problemi më i rëndësishëm për Parlamentin në këtë rast është të kalojnë ligjin për kufizimin e imunitetit, për të gjithë deputetët. Topalli theksoi se "do të hiqet imuniteti i Mediut, pavarësisht se si do të jetë raporti, ka ardhur dosja tjetër për deputetin Paturri, ndoshta është në rrugë një tjetër dosje. Pra unë mendoj se duhet t‘i shkojmë problemit në rrënjë. Kjo do të thotë që menjëherë, edhe opozita uroj të fillojë punën në nënkomisionin e ligjeve, për të sjellë në komisionet e tjera dhe më pas në seancë plenare, ligjin për kufizimin e imunitetit, por jo vetëm të imunitetit të deputetëve, por të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë atyre që kanë imunitetet". Duke argumentuar kërkesën e saj ndaj prokurorisë për dokumente shtesë për imunitetin e Mediut, Topalli është shprehur se Parlamenti funksionon përmes një rregulloreje e cila është për t‘u zbatuar dhe për t‘u respektuar nga të gjithë. Institucionet duhet të respektojnë Parlamentin, ashtu si Parlamenti respekton institucionet e tjera në të gjithë pavarësinë e tyre. Por ajo nuk ka dhënë ndonjë afat konkret se kur do të votohet në Kuvend imuniteti i Mediut, duke theksuar se kjo nuk ka lidhje me ultimatumet e opozitës. "Unë besoj se do të kalojë shumë shpejt. Do të hiqet imuniteti, pavarësisht nga ajo që do të ketë raporti, gjë të cilën unë nuk e di, sepse anëtarët e këtij këshilli sapo kanë filluar punën për të përgatitur këtë raport", tha Topalli. Dy ditë më parë, ambasadori i SHBA-së i ka dhënë një "shuplakë" të fuqishme Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, vetëm pak orë pas letrës së saj drejtuar Kryeprokurores Ina Rama, ku i kërkonte dokumente shtesë për shqyrtimin e heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pas vizitës së zhvilluar me Kryeprokuroren Ina Rama, kryediplomati i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uidhers, ka deklaruar se "qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që në ndonjë mënyrë do të përfshinin ndonjë axhendë politike që nënkupton një hetim të paanshëm dhe të pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit". Sipas deklaratës për shtyp të ambasadës së SHBA, "ambasadori e siguroi Prokuroren e Përgjithshme se qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. Qeveria e SHBA-së nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit. Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t‘ia nënshtruar këtë hetim kujtdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar". Ndërkohë që vetë Kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar dhe rideklaruar disa herë kohët e fundit se është e gatshme t‘i vërë në dispozicion Kuvendit të gjitha materialet që ajo disponon, por institucioni ligjvënës nuk duhet të zvarrisë procedurat për heqjen e imunitetit të Mediut, pasi kështu mbahet peng procesi i hetimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›