E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Zbardhja e Gërdecit kërkon dorëheqjen e Berishës

"Pa dorëheqjen e Sali Berishës dhe heqjen e imunitetit të tij nuk mund të ketë hetime vërtet transparente dhe të pandikuara politikisht për tragjedinë e Gërdecit". Me këtë konstatim u shfaq dje para medias kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai shprehu besimin dhe mbështetjen e hapur për atë që deklaroi dy ditë më parë ambasadori i SHBA-së, Xhon Uithers. "Me këtë rast, ne konsiderojmë se presioni politik i Kryetares së Kuvendit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, jo vetëm që është jashtë kompetencave të saj, por dhe abuzim i pastër politik", vlerësoi Meta. Sipas tij, nuk synon të realizojë ato procedura parlamentare, transparente, që ndihmojnë një proces hetimor normal të gjyqësorit dhe të organit të akuzës, por përkundrazi, synon të krijojë probleme dhe ndërhyrje lidhur me hetimin e kësaj tragjedie të paprecedent. Në vlerësimin e Metës është plotësisht e dukshme dhe e kuptueshme, çdo ditë edhe më shumë nga të gjithë, se presioni mbi gjyqësorin po përshkallëzohet në vazhdimësi nga mazhoranca e Sali Berishës. "Sidomos tani, pas ndryshimeve kushtetuese të realizuara prej tij dhe gjithë të kapurve prej tij më 21 prill", tha ai. Kreu i LSI-së konstatoi se Berisha dhe levat e tij janë inkurajuar nga këto ndryshime kushtetuese, që e mbifuqizuan Berishën në kurriz të parlamentarizmit, në kurriz të pavarësisë së organeve gjyqësore dhe kushtetuese. Duke mbytur, shtoi ai, edhe ata zëra oponentë brenda mazhorancës nëpërmjet presionit tashmë të bërë publik të zgjedhjeve të parakohshme. Këto, theksoi Meta, po cenojnë çdo ditë jo vetëm pavarësinë e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, por njëkohësisht edhe pavarësinë e Gjykatës së Lartë dhe gjithë institucioneve të tjera kushtetuese. LSI-ja vlerëson se dobësimi i pozitës kushtetuese të Presidentit pas ndryshimeve në Kushtetutë, për mënyrën e zgjedhjes së tij, po provon qartë se aventura e ndryshimeve të papjekura kushtetuese do të vijojë të shtojë problemet dhe shqetësimet në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›