E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: PS, nismë ligjore për vizat

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste përshëndet nismën e fundit të Komisionit Evropian në drejtim të hapave që duhen ndërmarrë nga qeveria shqiptare për liberalizimin e vizave. Ndërsa e konsideron udhëzuesin për liberalizimin e vizave mes vendeve të BE-së dhe Shqipërisë, si një dokument tepër të rëndësishëm për hedhjen e hapave të domosdoshëm të parashikuara në të. Valentina Leskaj shprehu keqardhjen që qeveria shqiptare ende nuk po tregon gatishmërinë dhe vullnetin e duhur përmes hapave konkretë për të përmbushur detyrimet e sanksionuara në dokumentin e lartpërmendur si dhe në MSA. Ajo kujtoi vonesat pajustifikuara në realizimin e prodhimit të kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike si dy nga elementet bazë për përmbushjen e detyrimeve të parashtruara. Leskaj i kërkoi mazhorancës qeverisëse që të ndërmarrë sa më shpejtë hapa konkrete për ndryshimin e situatës, ndërkohë që edhe Kuvendi duhet gjithashtu t‘i përgjigjet me masa kësaj situate. "Grupi parlamentar i Partisë Socialiste shumë shpejt do të dalë me disa propozime në funksion të përmirësimit të situatës, që shqiptarëve të mos u privohet mundësia e lëvizjes së lirë për shkak të paaftësisë së qeverisë", premtoi ajo. Sakaq, Leskaj tha se i ka kërkuar takim Kryeparlamentares Topalli për të përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme çështjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›