E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbron Inën: Berisha dhe Topalli nuk mund t‘i bëjnë presion

Edi Rama denoncoi dje presionin që po i bëhet prokurorisë nga qeveria dhe Kuvendi. Socialistët pranojnë se kanë refuzuar t‘i bëjnë mish për topat e politikës së ditës viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit. "Por këtë e kemi bërë për të mos i kushtëzuar organet e drejtësisë dhe jo për të lejuar që forcat qeveritare t‘i bëjnë presion Prokurorisë së Republikës", theksoi Rama. Ai u shpreh se opozita nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që forcat qeveritare të përfitojnë nga politika jonë e re e ndarjes së qartë të pushteteve e të punëve mes politikës dhe drejtësisë. Kjo, për të vazhduar avazin e vjetër të presionit antikushtetues e antiligjor mbi Prokurorinë e Republikës, me synimin e turpshëm pengimin e hetimeve për Gërdecin. "Ne kemi zgjedhur me vetëdije të plotë rrugën e dhënies me guxim të një shembulli të ri në politikën shqiptare, duke e trajtuar Gërdecin jo si një rast për të nxjerrë përfitime politike të çastit në kurriz të drejtësisë", u shpreh Rama. Duke konstatuar se është trajtuar ky rast si një krim shtetëror që duhet zbardhur deri në fund vetëm përmes rrugës kushtetuese e ligjore të hetimit e të gjykimit të çdo fakti nga organet e pushtetit gjyqësor. Rama shtoi se është refuzuar rruga tradicionale e degjenerimit të kësaj tragjedie të jashtëzakonshme në sherrin e zhurmshëm politik, që tradicionalisht u ka shërbyer fajtorëve për të bërë rolin e viktimës. "Ne nuk mund të lejojmë sot që ata që shkaktuan Gërdecin të fajësojnë Prokurorinë e Republikës dhe nga të pandehur të opinionit publik të kthehen në inkuizitorë publikë të përfaqësuesve kushtetues të akuzës", këmbënguli Rama. Lideri i opozitës tha se duhet të lihet prokuroria të shkojë deri në fund me hetimin e ngjarjes. "Ta harrojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu dhe të gjitha forcat qeveritare se, pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre, do të hedhin në erë edhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete pa të cilën s‘ka Shqipëri demokratike e evropiane", nënvizoi Rama. Deklarimi i kreut të opozitës erdhi një ditë pasi u prononcua për mediat ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers. Ky i fundit me nota shumë kritike, ju drejtua Kuvendit, duke dalë hapur në mbështetje të Kryeprokurores Ina Rama. Qeveria amerikane, sipas ambasadorit, do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t‘ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Ndërsa nguli këmbë se është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›